Artisti i mirënjohur, Lin Delija ka portretizuar më lart doktor Lin Shkrelin, një jurist dhe veprimtar shqiptar i lindur në Shkodër më 1920, i cili jetoi në mërgim në Romë pas Luftës së Dytë Botërore.
Portreti i tij, realizuar nga Delija në vitin 1960 në Romë, përfaqëson jo vetëm një figurë intelektuale të rëndësishme, por edhe shpirtin rezistent të mërgatës shqiptare në Itali.
Piktori, Lin Delija lind në Shkodër më 3 janar 1925. Studioi në fillim në Herceg Novi dhe pastaj në Zagreb në Akademinë e Arteve të Bukura.
Arratiset më 1949 drejt Italisë me ndihmën e Koliqit, i cili i siguroi bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Mjeshtrat e tij ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli – prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik.
Në vitin 1969 Lin Delija themelon Akademinë e Artit "Gjergj Fishta".
Veprat e tij ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeumin e Artit Bashkëkohor në Romë, në Muzeumin «Lin Delija» në Antrodoko, në Muzeumin Qytetës të Osimo-s, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Bresciae etj.
Në qytetin e Osimo-s ekziston nji muzeum i kushtuar mjeshtrit Delija, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodokos i kanë ngritur një muzeum në vitin 2002 në qytetin ku jetoi.