Arte

Albumi “100 Portrete” dhe bisedat e pafundme për Kadarenë

Shkruar nga Liberale

Albumi “100 Portrete” dhe bisedat e pafundme për Kadarenë

Albumi “100 Portrete, Kadare në artet figurative” është botimi i fundit për shkrimtarin, i cili vjen në një vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Ai u promovua më 1 korrik në ambientet e COD- Qendra për hapje dhe Dialog, ku mblodhi piktorë, artistë, njerëz të artit dhe letërsisë, lexues dhe studiues të veprës së Kadaresë.

Ky album është njëkohësisht e para vepër që studion ndikimin e shkrimtarit në artin figurativ. Janë 100 portrete, nga artistë të njohur e të rinj, emra të shquar të pikturës shqiptare, të cilët ndër vite e kanë bërë subjekt të krijimtarisë së tyre. Albumi nis me portretet e para në 1962-n, kur Kadare pozonte për shokët e tij piktorë, Ksenofon Dilo dhe Vilson Kilica, dhe mbyllet me portretin e fundit nga Arif Lushi, realizuar disa muaj para ndarjes së shkrimtarit nga jeta.

Ideja e këtij botimi, i vlerësuar për kontributin që sjell, ishte e botuesit Henri Çili. Gjatë një vizite në shtëpinë e shkrimtarit i ranë në sy dhjetëra piktura të ekspozuara. Duke marrë bekimin e shkrimtarit, ashtu si UET ka bërë për shumë projekte të tjera ndër vite, nisi puna për “100 Portrete”, duke u vënë në kontakt me shumë piktorë, koleksionistë, galeri. Nisur nga numri i lartë i veprave të mbledhura, u vendos që e gjitha të kthehet në një projekt dhe të konkludohet me disa botime. Albumi i parë u realizua nga Instituti Liberal Pashko, Universiteti Europian i Tiranë dhe shtëpia botuese UET PRESS, me mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Fondacionit "Credins”.

Albumi “100 Portrete” dhe bisedat e pafundme për Kadarenë

Kur bëhet fjalë për Ismail Kadarenë, bisedat asnjëherë nuk janë të fundme. Gjithmonë ka diçka për të thënë, për të kujtuar, për të analizuar për të si personalitet, për veprën, për personazhet, për gjenialitetin si shkrimtar. Prandaj ajo shpërfaqje idesh e gjetjesh nga puna me albumin, që nisi me promovimin në COD, nuk mund të mbyllej aty brenda një ore aktivitet. U transformua në një rreth më të vogël duke mbledhur ata që i dhanë jetë këtij albumi e jo vetëm: botuesin Çili; kuratorin dhe piktorin Abaz Hado; drejtuesen e shtëpisë botuese UETPRESS, Suadela Balliu; drejtuesen e COD, gazetaren e kulturës, Jetona Koçibelli; shkrimtaren Vera Bekteshi, e cila përveçse është një nga fitueset e Çmimit Letrar Kadare, institucion i ngritur nga UETPRESS për zhvillimin e prozës shqipe, është edhe njohëse e Kadaresë, mikeshë e tij e hershme, që siç rrëfeu ajo shumë ngjarje e ndodhi të asaj periudhe i ndanë bashkë.

Pas albumit “100 Portrete”, puna për ekspozimin e ndikimit të Kadaresë në artet figurative do të vijojë edhe me dy albume të tjera. Vëllimi i dytë do t'i kushtohet ndikimit të Kadaresë në Artet Figurative, me piktorë të ndryshëm që janë frymëzuar nga motivet dhe universi i veprave të tij. Projekti i tretë do të përqendrohet tërësisht në fotografitë kushtuar shkrimtarit, që nga vitet ’50 e në vazhdim, nga shtypi shqiptar dhe i huaj, si dhe nga shërbime të posaçme fotografike.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH