Arte

Promovohet albumi “100 Portrete”, biografia e re e Ismail Kadaresë rrëfyer përmes imazhit

Shkruar nga Liberale

Promovohet albumi “100 Portrete”, biografia e re e Ismail

Nisin në 1962-shin dhe përfundojnë në 2024-ën. Janë plot 100 imazhe të Ismail Kadaresë që vijnë të përmbledhura në veprën e fundit për shkrimtarin, albumin “100 Portrete, Kadare në artet figurative”, i cili u botua si homazh në një vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Janë 62 vite jetë të dokumentuara përmes pikturës, skicës, grafikës, fotografisë etj., të cilat tregojnë më shumë sesa shenjat e kohës në portretin e Kadaresë. Fillojnë me djalin e ri e të talentuar, shkrimtar e artdashës, që pozonte për shokët e tij Vilson Kilica dhe Ksenofon Dilo, e përfundojnë me shkrimtarin e njohur në mbarë botën, gjeniun e letrave shqipe, që pozon në moshën 88- vjeçare për dy breza artistësh, piktorin Arif Lushi dhe forografin Hameraldi Agolli. Këto janë edhe të vetmet raste kur ai pozoi, ndërsa pjesa tjetër e portreteve, sa të ndryshme aq edhe domethënëse, shfaqin Kadarenë nën interpretimin, fantazinë, stilin dhe ngjyrat e artistëve, të fiksuara gjatë takimeve, mbledhjeve në Lidhjen e Shkrimtarëve apo fotografive të rastësishme në media.

Gjatë promovimit në Qendrën për Hapje dhe Dialog, kuratori i albumit, profesori i pikturës në UET, Abaz Hado, tha se në nisje të projektit ishte skeptik nëse do të mblidheshin 100 portrete të Kadaresë, por gjatë kërkimit u zbuluan shumë thesare nëpër galeri, koleksione private, të punuara nga piktorë të njohur dhe artistë të rinj.

“Universiteti Europian i Tiranës sot vendosi një rekord sepse nuk ka asnjë personazh botëror të cilit t’i jetë dedikuar një katalog me 100 vepra arti, ndërsa ka shumë të tjera që do të botohen më vonë”, nënvizoi Hado, duke shtuar se shkrimtari ka qenë model dhe frymëzim për artistët që jetonin në ato kohë të errëta për Shqipërinë. “Kadareja vjen i dyti pas Skënderbeut për trajtimin në artin pamor. Me këtë libër ne evidentojmë se çfarë respekti dhe dashurie kanë pasur shumë artistë, piktorë, regjisorë për të.”

Promovohet albumi “100 Portrete”, biografia e re e Ismail

Hado shpjegoi më tej simbolikën e veçantë që përcjellin dy pikturat ilustruese në të dy anët e kopertinës së albumit. E para është piktura e Bashkim Ahmetit, piktorit që ka trajtuar gjerësisht figurën e shkrimtarit, dhe tjetra paraqet portretin plot ngjyra të Helena Kadaresë. Janë dy piktura që personifikojnë thelbin e jetës së shkrimtarit, të cilit iu desh të kalonte përmes shumë tallazeve, vështirësive, dritë-hijeve, duke pasur gjithmonë në krah mbështetjen dhe dashurinë e bashkëshortes së tij. “Ajo ishte pranvera, gëzimi i jetës së tij dhe të gjithë e dimë dashurinë e tyre të jashtëzakonshme”, u shpreh kuratori.

Ideja për një album fotografik lindi gjatë një vizite të botuesit Henri Çili në shtëpinë e shkrimtarit, ku i ranë në sy dhjetëra piktura të ekspozuara. Duke marrë bekimin e shkrimtarit, ashtu si UET ka bërë për shumë projekte të tjera ndër vite, nisi puna për “100 Portrete”, duke u vënë në kontakt me shumë piktorë, koleksionistë, galeri. Duke parë fondin e panumërt të veprave për Kadarenë, nisma u shndërrua në projekt që studion impaktin e Kadaresë në artet figurative dhe që do të shoqërohet në vijimësi me dy botime të tjera. Projekti i realizuar nga Instituti Liberal Pashko, Universiteti Europian i Tiranë dhe shtëpia botuese UET PRESS gjeti mbështetjen e Bashkisë Tiranë dhe Fondacionit "Credins”, drejtoresha e të cilit, znj. Elvana Hana realizoi parathënien e albumit.

Drejtoresha e shtëpisë botuese UETPRESS, Suadela Balliu, e quajti albumin një rrugëtim vizual të jetës, veprës, njeriut, shkrimtarit e intelektualit Kadare. “Kjo vepër vjen edhe si homazh për Ismail Kadarenë. Nuk është thjesht një koleksion pikturash por kontribut i një komuniteti artistësh, studiuesish që i jep mbrapsht shkrimtarit të vet.”

Promovohet albumi “100 Portrete”, biografia e re e Ismail

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, u shpreh se vetëm falë bashkëpunimeve të tilla mund të vijnë punë kaq cilësore, me kontribut të vyer në fusha të ndryshme të shoqërisë. “Dëgjuam se janë mbledhur punime, informacione, por në të ardhmen do të donim që secili nga ne, qoftë institucionalisht, por edhe si detyrë qytetare e patriotike të japë kontribut për promovimin e një figure të tillë, për t’u përhapur te brezi i ri.” Seferi hodhi më tej idenë, që përveçse të flitet, të shpërndahet, të organizohen aktivitete e botime, Kadare duhet të jetë edhe pjesë e kurrikualave shkollore.

Studiuesi i letërsisë Ermir Nika, njohës i mirë i shkrimtarit, e cilësoi botimin një biografi përmes imazheve. Ai tha se ky botim dëshmon se çfarë marrëdhënieje kishin në të vërtetë shkrimtarët dhe artistët, të cilët janë gjykuar dhe rigjykuar ndër vite, duke kujtuar edhe raste mjaft interesante gjatë punës kërkimore siç ishte skica e Kadaresë punuar nga Dhimitër Shuteriqi, e cila iu vu në dispozicion nga familja e tij.

“Kërkimi tregoi se Kadare është modeli ku janë mbështetur shumë piktorë, por ka një veçanti sepse nuk janë vepra të diktuara, janë spontane dhe janë mbi 100 të tilla.” Nika theksoi më tej se as shkrimtari vetë nuk e ka ditur një shpërndarje të tillë të imazhit dhe të përshtypjeve të ndikimit që ai ka pasur te shumë njerëz të tjerë, jo thjesht lexues, por artistë, shkrimtarë e studiues.

Piktorët që kanë shkrirë në telajo portretin e Kadaresë janë kryesisht nga Shqipëria, por nuk mungojnë as ata të Kosovës apo edhe emra të huaj. Bien në sy veprat e artistëve Dhimitër Shuteriqi, Kujtim Spahivogli, Andon Kuqali, Fatmir Haxhiu, Andon Lakuriqi, Ylli Haruni apo Zaim Elezi.

Piktori Arian Zurba ndau me të pranishmit se si mori nxitjen për të sjellë një portret të ekspozuar gjatë promovimit të albumit. Gjithmonë kishte dashur ta bënte Kadarenë pjesë të krijimtarisë së tij, por asnjëherë nuk kishte mundur të gjente një mënyrë për ta paraqitur dhe portretizuar. Njohja me shkrimtarin ishte e hershme që në shkollën 8-vjeçare, në shkollën e mesme dhe atë të lartë, madje kishte pasur rastin edhe ta ndeshte në largësi, në ato shëtitjet që shkrimtari bënte në darkën vonë me miq të tij. “Ne e kishim idhull Kadarenë sepse ai na sillte gjëra të reja, gjëra të veçanta duke gërmuar në historinë e popullit tonë të lashtë dhe paqedashës, të cilat i shtjellonte dhe i pasqyronte me një penë të jashtëzakonshme, aq sa edhe sot që flasim duket sikur e kemi mes nesh.”

Pas albumit “100 Portrete”, puna për ekspozimin e ndikimit të Kadaresë në artet figurative do të vijojë edhe me dy albume të tjera. Vëllimi i dytë do t'i kushtohet ndikimit të Kadaresë në Artet Figurative, me piktorë të ndryshëm që janë frymëzuar nga motivet dhe universi i veprave të tij. Projekti i tretë do të përqendrohet tërësisht në fotografitë kushtuar shkrimtarit, që nga vitet ’50 e në vazhdim, nga shtypi shqiptar dhe i huaj, si dhe nga shërbime të posaçme fotografike.

A është e pranueshme (dhe e ligjshme) ndërhyrja e kryeministrit Rama në çështjet e brendshme të disa prej bashkive të vendit?

  • Po!
  • Jo!
SHQIPENGLISH