Opinionistja e njohur e “Big Brother VIP Albania 3”, Ori Nebiaj, ka treguar me shumë sportivitet një episod të sikletshëm por edhe gazmor nga jeta e saj personale. E ftuar në emisionin “Natën me Aulonën”, Ori u pyet nëse i kishte ndodhur ndonjëherë t’i shkruante ish-të dashurit nën efektin e alkoolit dhe përgjigjja ishte e sinqertë: “Po, ka ndodhur. Vetëm një herë… por e mbaj mend shumë mirë.”
Ajo shpjegoi se gjithçka kishte ndodhur disa vite më parë, gjatë një dasme të një shoqeje të ngushtë. Sipas saj, atmosfera festive dhe, siç tha me të qeshur, “ndoshta ndonjë gotë më shumë”, e nxitën të bëjë atë veprim impulsiv.
“Episodi ishte epik fare, por u pendova në sekondë. Nuk mbaj mend çfarë i kam shkruar, dhe s’kishte ndonjë rëndësi të madhe thjesht një moment gabimi,” u shpreh ajo me shumë humor.
Ori shtoi se nuk e ka marrë si dramë personale, por si një situatë që ndodh në mbrëmje të caktuara, kur emocionet kalojnë kufijtë.
“Ishte një minutë… një çast lumturie,” tha ajo me buzëqeshje, duke e kthyer një moment të sikletshëm në një rrëfim argëtues për publikun.