Arti pamor shqiptar ashtu si dhe letërsia, muzika, teatri, filmi u dominuan nga diktati politik dhe u bënë pjesë e propagandës së shtetit komunist, duke krijuar skematizmin dhe shabllonizmin sipas shembullit të artit sovjetik.
Një rol aktiv fillimisht luajtën artistët që studjuan në akademitë lindore dhe kryesisht grupi i studentëve të Leningradit.
Kështu në punimet e para të piktorit Ferdinand Paci si vepra me titull “Kooperativistja” , ndjehet më qartë ecuria artistike e artistit që kërkon të krijoi stilin e tij të dallueshëm artistik edhe pse duken qartë që figurat e tij pozojnë apo dhe kryejnë gjestikulacione jo të zakonshme.
Krijimtaria e Ferdinand Pacit edhe pse u ndërpre mjaft shpejt në moshën e pjekurisë artistike, ka disa karakteristika dhe element dallues.
Ferdinand Paci u lind më 30 Maj 1940 në një familje argjendarësh. Kreu shkollën Pedagogjike në Shkodër dhe ishte nxënësi i piktorit Simon Rrota dhe i Vladimir Janit të cilët e inkurajuan që të vazhdonte Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë.
Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë me disa provime plotësuese nën drejtimin e pedagogëve Abdurrahim Buza, Nexhmedin Zajmi dhe Kel Kodheli. Punoi si piktor në repartin e Dekorit të qytetit të Shkodrës dhe disenjator në kabinetin pedagogjik të arsimit.
Në vitin 1960-1965 kreu studimet e larta për pikturë në Institutitn e Arteve, Tiranë nën drejtimin e pedagogut Vilson Kilica e Danish Jukniu. Në fondin e GKA, Tiranë ruhen 11 punime të artistit të viteve 1957-1975.