Letërsi

Shqipëria dhe Kina, larg dhe afër

Shkruar nga Liberale

Diana Çuli

Pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Kinës, rindërtimi i tyre pas viteve ’90-të mori shumë kohë, kushtëzuar edhe nga ndryshimi i sistemit politik, ideologjik, ekonomik e social në Shqipëri, ndryshim që përthithi të gjitha energjitë e shqiptarëve për të ecur në një rrugë të re e thuajse krejtësisht të panjohur.

Ndërkohë, marrëdhëniet me Kinën Popullore nisën të marrin jetë përsëri, kësaj radhe më ngadalë, duke patur edhe rezonancën e miqësisë së shkuar: nuk ishin më dy vende, dy popuj dhe dy kultura të panjohura. Mund të gjendeshin përsëri pika të përbashkëta; në veçanti kultura mund të hidhte ura lidhëse mbi hapësirat boshe dhe të kapërcente dekadat e humbura.

Kështu, që në vitin 2001 mes marrëveshjeve që lidhen mes dy qeverive për zgjerimin e bashkëpunimit në fushat e shëndetit publik, bujqësisë dhe turizmit, një vend të rëndësishëm zënë edhe ato të kulturës. Ato tani ngrihen mbi baza të tjera, më të qenësishme, më të ngadalta, por më të sigurta.

Ky moment u shoqërua më vonë nga një sërë shkëmbimesh kulturore, më së shumti në fushën e librit, po edhe në fusha të tjera. “Ky bashkëpunim dha frytet e veta”, shkruan Dr. Dong Hongjie,[1]. “Politika e lëvizjes së lirë ka kontribuar edhe për të zhvilluar komunikimin kulturor, akademik, tregtar dhe shkëmbimet mes dy vendeve. Në Tiranë, sot mund të gjesh ushqimin origjinal kinez, mjekësinë tradicionale kineze, si dhe muzikën e filmat kinezë. Gjitashtu në tavolinat kinezë mund të shijosh mjaft produkte shqiptare të ardhura përmes eksportit, ose turistëve që sjellin produketet e preferuara nga Shqipëria. Miqësia shqiptaro-kineze u bashkua në një simbiozë të ngushtë kulturore shumë vite më parë dhe vazhdon të jetë e ngrohtë edhe sot, ashtu siç shkruhet në një varg të një poezie të mirënjohur kineze se “një mik i shtrenjtë, vendin e largët e sjell më pranë”.

Sot shumë shqiptarë po rizbulojnë kulturën kineze, një numër jo i vogël  aktualisht kryejnë studimet e larta në universitetet kineze. Të shumtë janë edhe ata që marrin pjesë në programet kineze të shkëmbimeve ndërkombëtare duke rritur kështu marrëdhëniet kulturore, si dhe duke shtuar vizibilitetin e Shqipërisë në studimet ndërkombëtare të sinologjisë.

Pas hapjes në vitin 2013 në Universitetin e Tiranës të Institutit Konfuci, aty organizohen kurse të gjuhës kineze. Gjuha kineze jepet mësim edhe në disa shkolla fillore dhe të mesme. Numri i studentëve të regjistruar në Institutin Konfuci i kalon 600 vetët dhe vazhdon të rritet.

Në vitin 2017 u shënua një zhvillim i rëndësishëm në promovimin e kulturës shqiptare. Pranë Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit u krijua qendra e parë kërkimore shkencore mbi Shqipërinë në Azi. Kontribut vërtet i veçantë i duhet njohur profesores së mirënjohur kineze të letrave shqipe në Pekin Ke Jing, shefe e Qendrës. Për këtë kontribut dhe punë të palodhur në vitin 2018, Profesores Ke Jing iu akordua personalisht nga Kryeministri Edi Rama “Medalja e Mirënjohjes së Kryeministrit”.

Një rol të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve kulturore mes dy vendeve dhe për njohjen e letërsisë kineze, veçanërisht, në Shqipëri, ka dhënë Shoqata e Botuesve Shqiptarë, e cila që në vitin 2015 nënshkroi në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi me përfaqësues të institucioneve të larta shtetërore të Republikës së Kinës, për të mundësuar ardhjen në gjuhën shqipe të autorëve të ndryshëm të këtij vendi dhe po ashtu shumë autorë dhe tituj nga letërsia shqipe në gjuhën kineze. Kryetari i kësaj shoqate, z.Petrit Ymeri dhe zëvendësministri z. Song Mingchang ishin nënshkruesit e kësaj Marrëveshjejeje Bashkëpunimi “Për përkthimin e botimin e letërsisë”. Në këtë Marrëveshje parashikohej që brenda 5 vjetëve të përkthehen dhe të botohen jo më pak se 50 tituj (25 për secilën gjuhë) nga autorë të njohur dhe vepra të shquara të letërsisë së dy vendeve. Marrëveshja mbështetet nga Administrata Shtetërore te Botimeve, e Radio, Film, Televizionit të Kinës dhe Shtëpisë Botuese kineze "Gjuhët e Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim". Një kontribut mjaft të rëndësishëm në këto shkëmbime letrare kulturore ka dhënë dhe jep Shoqata Kulturore Shqipëri – Kinë, e cila nuk resht së kryeri veprimtari të shumta kulturore dhe letrare mes dy vendeve.

Disa shtëpi botuese, të përfshira në këtë program, po edhe me marrëveshje dypalëshe me shtëpi botuese kineze, kanë përkthyer deri më sot vepra të autorëve të shquar kinezë. Shtëpia Botuese “Dituria”, e ka pasuruar katalogun e saj me letërsi kineze për fëmijë të autorëve Gao Hongbo, Tang Sulan, Huang Bei-jia, Jin Bo, etj. Përparësi i jep kjo shtëpi botuese autorëve të shquar e klasikë të letërsisë kineze si  shkrimtari Cao Hsuequin – një punë voluminoze me disa vëllime, po edhe historisë së Kinës dhe kulturës tradicionale të saj ( Zhang Çizhi) e shumë vepra të tjera me temë globalizmin, kulturën, etj.

Shtëpia botuese “Fan Noli” ka sjellë në shqip autorë të tjerë kinezë me famë botërore si Mo Yan, Lu Sun, Konfuci, e të tjerë, po edhe vepra mbi zhvillimin ekonomik në Kinë, historinë e saj,

Ndërsa shtëpia botuese “Onufri”, u nderua me çmimin “Special Book Award of China” - çmimi më i lartë që Qeveria e Republikës Popullore të Kinës akordon për autorët, përkthyesit dhe botuesit e huaj, të cilët kanë shënuar arritje të dukshme në prezantimin dhe përkthimin e librit kinez, si edhe në nxitjen e shkëmbimeve kulturore.

Në këtë periudhë përkon edhe themelimi i shoqatës së botuesve “Kinë -Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore 16+1”, ku libri zë vend të veçantë, sepse parashikohet që këto vende të botojnë dhe të përkthejnë libra mes tyre, si edhe të marrin pjesë në panaire të përbashkëta.

Në Panairin e 23-të Ndërkombëtar të Librit në Pekin u zhvillua Forumi i Shkëmbimeve Kulturore Kino-Shqiptare. Aty u prezantua edhe poema "Nënë Shqipëri" e Dritëro Agollit, përkthyer në gjuhën kineze me nismën e Administratës Shtetërore të Botimeve, Radio, Film, Televizionit të Kinës, Shtëpisë Botuese kineze "Gjuhët Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim". Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të të dy vendeve si këshilltari i Departamentit të Importimit të Botimeve pranë Administratës Shtetërore të Shtypit dhe të Botimeve Chen Yingming, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë dhe drejtor i Shtëpisë Botuese "Dituria", Petrit Ymeri, kryetari i Shoqatës Kulturore Shqipëri-Kinë Ijaz Spahiu, drejtori i Shtëpisë Botuese "Onufri" Bujar Hudhri, anëtari i Institutit të Studimeve Artistike të Kinës dhe përkthyes i njohur i letërsisë shqipe në gjuhën kineze Zheng Enbo, zëvendësrektori i Universitetit të Gjuhëve të Huaja të Pekinit dhe kryetar i Shtëpisë Botuese "Gjuhët e Huaja në Mësimdhënie dhe Kërkim" Cai Jianfeng etj.

Në shkurt 2018, Shoqata e Gjuhësisë Shqiptare, e drejtuar nga akademiku Prof. Dr. Emil Lafe organizoi në Bibliotekën e Kryeministrisë në Tiranë një takim me albanologen e shquar kineze Ke Jing, ku merrnin pjesë studiues shqiptarë, profesorë, ambasadorë, akademikë dhe studenë kinezë, që studiojnë në Universitetin Shtetëror të Tiranës. Albanologia kineze Ke Jing paraqiti punimin “Albanologjia në Kinë, arritjet dhe perspektivat”. Në fjalën e saj ajo përmendi faktin se Katedra e Gjuhës Shqipe në Pekin, e krijuar që në vitin 1961, është e vetmja në Kinë dhe Azi.

Në vitin 2019, Presidenti i Republikës Ilir Meta dekoroi me titullin “Naim Frashëri” dy albanologë, Profesorin Zheng Enbo, studiues, publicist e përkthyes dhe gazetarin, publicistin, përkthyesin e shkrimtarin Wang Hongçi për kontributin e tyre në komunikimin e vlerave të dy popujve te njëri-tjetri.

Në tetor të vitit 2019 në Tiranë u hap ekspozita “Autorë shqiptarë për Kinën – Autorë Kinezë për Shqipërinë” me botime të rralla nga arkiva e Bibliotekës Kombëtare, që pasqyrojnë rrugëtimin e gjatë të marrëdhënieve dy-palëshe Shqipëri – Kinë. Ekspozita u organizua nga Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, Shtëpinë Botuese të Librit Universitar dhe Kërkimor – Pekin dhe Shoqatën Kulturore Kinë-Shqipëri. Ekspozita përmbante botimet e para të autorëve dhe letërsisë kineze në gjuhën shqipe, botime që sjellin kulturën dhe qytetërimin e lashtë kinez, filozofinë dhe gjuhën kineze, etj. Përveç veprave letrare të autorëve shqiptarë dhe kinezë, të cilat i përmendëm më sipër, në këtë ekspozitë nuk mungonin botimet dhe veprat mbi kulturën dhe qytetërimin kinez, botime mbi folklorin, albume, etj. Po ashtu ditare udhëtimi të autorëve të ndryshëm e të diplomatëve shqiptarë në Kinë si “Në Kinën e popullit” i Qamil Buxhelit (1951);  “Shqipëri – Kinë, dëshmi të një bashkëjetese” të autorit Enver Bytyçi (2014); “Shqipëria dhe Kina, një aleancë e barabartë” i Elez Biberaj (2014); “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze në Luftën e ftohtë 1956-1978” i Gjon Boriçit (2016), etj.

Në këtë klimë mjaft të ngrohtë të krijuar në dy dekadat e fundit në shkëmbimet kulturore Shqipëri Kinë, veçanërisht në ato letrare, është padyshim i dukshëm fakti se ajo do të zhvillohet e do të zgjerohet edhe më shumë në vitet që pasojnë.

[1] Dr. Dong Hongjie është pedagog i sociolinguistikës pranë Universitetit të Gjuhë Letërsisë së Xi’an-it, në Kinë. Në vitet 2011-2013, ai punoi si mësues i gjuhës kineze në Universitetin e Tiranës. Është gjithashtu autor i mjaft artikujve shkencorë mbi politikat gjuhësore në Shqipëri. /Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH