Kryeministri Edi Rama ndërpreu ditën e sotme një takim elektoral në qytetin e Kavajës, pasi u njoftua për vdekjen e Papa Françeskut. Ati i Shenjtë u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit në moshën 88-vjeçare.
Gjatë fjalës së tij para qytetarëve, Rama tha se kishte marrë një mesazh që e informonte për ndarjen nga jeta të Papës, duke e cilësuar atë si një “njeri të jashtëzakonshëm” me të cilin kishte pasur një marrëdhënie personale.
“Më erdhi një mesazh këtu tani, më vjen shumë keq, ka ndërruar jetë Ati i Shenjtë, Papa Françesku, një njeri i jashtëzakonshëm. Unë kam pasur një raport personal me të, më çonte vazhdimisht mesazhe dhe më vjen jashtëzakonisht keq,” u shpreh Rama.
Ai kujtoi vizitën historike të Papës në Shqipëri, të cilën Françesku e zhvilloi menjëherë pas zgjedhjes së tij në krye të Kishës Katolike në vitin 2013.
“Ai zgjodhi të vizitonte Shqipërinë jashtë Vatikanit pasi u zgjodh Papë. Pas një takimi që patën, ai kaloi në Shqipëri një ditë që e konsideronte të paharrueshme dhe tha fjalën e paharrueshme që Shqipëria ka vëllazëri fetare,” shtoi kryeministri.