Nuk janë vetëm partitë e vogla. As gara aspak e hijshme në PD mes Jorida Tabakut dhe Ilir Alimehmetit për një mandat deputeti.
Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti e cila po lufton për të mbrojtur mandatin foli për sistemin zgjedhor dhe ndarjen e listave të mbyllura dhe të hapura, duke thënë se ka avantazh dhe disavantazh.
Ndër të tjera deputetja tha se disa kandidatë kanë marrë shumë vota pa shkelur asnjëherë në zonën e saj.
Më tej ajo tha se është më e lehtë që një politikan burrë të kërkojë votën, se sa një grua.
Gjylameti dhe Olta Xhaçka, deri në orën 15:15 kanë një diferencë prej 20 votash me njëra-tjetrën. Tani për tani në epërsi është Gjylameti.
“Nuk besoj se nuk ka garë që nuk shoqërohet me emocione. Emocion më të fortë do ishte ajo e mandatit të katërt me një numër të konsiderueshëm votash.
Është garë sfiduese, edhe për shkak të këtij sistemi. E kam thënë disa herë që ka pasur shumë avantazhe dhe disavantazhe kjo garë. Kjo ka bërë që të kemi një pasqyrim të kësaj në vota që ka një lloj copëzimi. Edhe pse unë jam deputete e kësaj zonë, një pjesë e madhe e votave kanë shkuar për kolegët për shkak të njohjeve , lidhjeve e të tjera.
Kur bëhet fjalë për projeksionin besoj se do jemi mbi 2000 vota. Çdo votë duhet të lexohet ashtu siç duhet të jetë. Për gratë në politikë nuk është aq e lehtë sa për burrat. Nuk mendoj që një koleg burrë merr më shumë vota për shkak të ndonjë aftësie apo kontributi.
Unë mbetem ende shumë e bindur që kuota për një element. Shqipëria mbetet ende domeni i burrave në politikë. Është më e lehtë ta kërkojë votën një burrë se sa një grua. Kemi shumë kolegë që janë votuar në njësinë time që s’kanë shkelur asnjëherë.
Në këto 12 vite në politikë kam pasur angazhimin më të madh”, tha Gjylameti për Top Channel, e ftuar në “Shqipëria Live”.
Ajo refuzoi të akuzonte kolegët por pranoi se sistemi elektoral nuk është i drejtë as për rivalitetin brenda dy partive të mëdha që megjithatë mbeten më të favorizuar nga një sistem i tillë.
“Jo jo, s’bëj dot krahasimin me kolegët e mi. Në 12 vite kam qenë nga ata njerëzit që kamë qenë pranë votuesve. E kam thënë. Nuk mendoj se dikush ka një mandat që e ka, mandati meritohet përmes votës.”, theksoi Gjylameti.