Politikë

Kuvendi mbyll legjislaturën e dhjetë me 521 akte të miratuara! Spiropali: E ardhmja, anëtarësimi në BE

Shkruar nga Liberale.al

Kuvendi mbyll legjislaturën e dhjetë me 521 akte të miratuara!

Kuvendi i Shqipërisë ka përmbyllur legjislaturën e dhjetë me 521 akte të miratuara dhe 189 seanca plenare, duke e cilësuar këtë periudhë si një ndër më intensive në aspektin e reformave dhe progresit institucional.

Në një video-mesazh përmbyllës, Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, falënderoi deputetët, qytetarët dhe të gjithë bashkëpunëtorët për kontributin e dhënë gjatë këtyre katër viteve.

Ajo theksoi disa prej arritjeve kryesore të legjislaturës, si votimi i reformës zgjedhore, avancimi i reformës në drejtësi, digjitalizimi, përmirësimi i shërbimeve publike, si dhe forcimi i diplomacisë parlamentare me vende të ndryshme europiane.

“Kjo legjislaturë shënoi një përparim të madh drejt integrimit europian. Shqipëria është tashmë një nga vendet më të avancuara në këtë proces”, tha Spiropali.
Kryetarja e Kuvendit vlerësoi punën e kryer për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, duke përmendur edhe bashkëpunimin e ngushtë me Parlamentin Europian dhe vizitat e rëndësishme, si ajo e Presidentes së Parlamentit Europian, Roberta Metsola, në Tiranë.

Gjithashtu, Spiropali nënvizoi se legjislatura e re ka një mision të qartë dhe historik: finalizimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.

“Po i dorëzojmë legjislaturës së re një Shqipëri më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të fortë”, u shpreh ajo, duke renditur të dhëna konkrete për përmirësimin ekonomik të vendit, si trefishimi i të ardhurave për frymë dhe rritja e pagës mesatare në 830 euro.
Në fund të mesazhit, Spiropali bëri thirrje për më shumë përfshirje të qytetarëve në procesin ligjvënës, rritje të transparencës dhe modernizim të Kuvendit, si dhe ndërtimin e një godine të re që i përgjigjet standardeve të një parlamenti europian.

“Është në dorën e legjislaturës së re që Kuvendi të jetë më efikas, më i hapur dhe më pranë qytetarëve”, përfundoi Spiropali, duke uruar pushime të mbara për të gjithë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH