Ish-ministri socialist i Financave Arben Malaj, nga denoncimi i disa qytetarëve, ka publikuar pamje nga abuzimi me hapësirat publike në Tiranë.
Reagimi i Malajt vjen në të njëjtën ditë kur Kryeministri Edi Rama bëri thirrje për lirimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar gjoba dhe ndjekje penale për zaptuesit. Ai ndau foto nga zona e “21 Dhjetorit” në Tiranë, duke e cilësuar situatën si një rast klasik “toke të xanun”. Në Lungomare të Vlorës Rama lë afat 48 orë për lirimin e hapësirave publike.
Malaj e quan demagogji retorikën e kryeministrit dhe denoncon një rast flagrant pranë kryeministrisë.
Postimi i Arben Malajt:
Nuk qeveriset me praktika komuniste të "Aksioneve me Goditje të Përqëndruara".
Vetëm 200 metra larg zyrës së Kryeministrit, në rrugën me kalldrëm nga “Venecia” për tek “Qyteti Studenti”, prej pesë vitesh një kompani private, e lidhur me një ish deputet, edhe sipas fotove te bashkangjitura ka zaptuar trotuarin dhe rreth 40% të sipërfaqes së rrugës publike.
Kjo nuk lejohet në asnjë vend demokratik.
Kompania duhet të ndërtonte që në diten e parë të investimit sistemin "tunel", duke mos bllokouar trotuarin dhe duke krijua siguri maksimale, per kalimtarët.
Ajo që është më kriminale: banorët gjobiten pa mëshirë nga Policia Bashkiake dhe Policia e Rendit, ndërsa uzurpimi i hapësirës publike mbrohet me heshtje apo mbështetje nga lart.
Ironia shkon deri aty sa dy policitë na gjobisin për bllokim të “korridorit të biçikletave”, ndërkohë që korridori ka 5 vite është i paralizuar sepse është zaptuar nga kompania private.
Kemi bërë peticione, ankesa, kemi shkuar në Bashki dhe në Polici – por përballë padrejtësisë, institucionet janë bërë të shurdhëra.
Reagoj publikisht, sepse nuk ka më as durim, as justifikim që një rrugë e zaptuar në mes të Tiranës të mbrohet për 5 vite me radhë, ndërsa qytetarët ndëshkohen çdo ditë.
Zbatoni ligjin!
Zhbllokoni rrugën!
Ndëshkoni abuzuesit, jo banorët!