Numëruesit në të gjithë vendin kanë përfunduar 5200 kuti votimi nga 5225 që janë në të gjithë Shqipërinë, teksa 25 kutitë e fundit po numërohen dhe pritet që në mëngjes të dalë rezultati përfundimtar.
Partia Socialiste e Shqipërisë e ka të garantuar një shumicë të qartë, duke grumbulluar 772,504 vota ose 52.2%, duke u renditur e para në shkallë kombëtare.
Koalicioni PD-ASHM vjen i dyti me 502,384 vota ose 34 %, ndërsa Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet arrin të sigurojë vendin e tretë me 55,713 vota ose 3.8%.
Më pas vjen Partia Socialdemokrate me 48,238 vota ose 3.3% vota dhe partia Mundësia me 45,579 vota ose 3.1% ndërsa Lëvizja Bashkë 22,199 vota ose 1.5%
Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, votat në çdo qark të përkthyera në mandate tregojnë se Partia Socialiste kryeson thellë me numër mandatesh.
Socialistët kanë marrë një tjetër mandat në Vlorë duke shkuar në 83 mandate. Rezultatin më të mirë PS e ka në Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan dhe Vlorë.
Koalicionit të opozitës, kryesuar nga Partia Demokratike i kanë ikur dy mandate në pak minuta, ai i Vlorës dhe një në Tiranë që ia mori partia Mundësia e Agron Shehajt.
PD në mbyllje të numërimit ka 50 mandate ndërsa Mundësia 2 mandate.
PSD-ja e Tom Doshit është forcë e tretë politike në Kuvend me 3 mandate, koalicioni “Nisma Shqipëria bëhet” ka 1 mandat, ndërkohë edhe Lëvizja Bashkë 1 mandat.
Në Tiranë nga përllogaritjet e votave deri tani, Partia Socialiste ka siguruar 19 mandate, ndërsa Partia Demokratike ka fituar vetëm 13 mandate, duke humbur një mandat që kishte më parë.Po ashtu, Partia Mundësia ka arritur të sigurojë dy mandate.