Ish-kryetari i bashkisë Lezhë, Fran Frrokaj, i cili prej 23 dhjetorit është në kërkim pas vendimit të Apelit që e riktheu në burg, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs.
Frrokaj i kërkon Gjykatës së Lartë pezullimin e dënimit të dhënë nga Gjykata e Posaçme e Apelit deri në shqyrtimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.
Ish-zyrtari i lartë duhet të vuajë 2.8 vite burg për shpërdorim detyre.
Shkalla e parë e GJKKO e ka dënuar me 1.4 vitë burg por Apeli ia dyfishoi dënimin.
Policia pasi ka marrë në dorë urdhrin e ekzekutimit ka kryer kontrolle por nuk e ka gjetur në banesë.
Fran Frrokaj, në atë kohë kryetar i komunës Shënkollë bashkë me ish-zyrtarë të tjerë kanë favorizuar në regjistrimin e 82 pasurive të paluajtshme për disa persona.
Frrokaj është dënuar me 2 vite burg edhe nga Gjykata e Shkodrës që lidhet sërish me tjetërsimin e pronave në zonën e Ranës së Hedhun në Shëngjin.
Ai u lirua nga qelia pak kohë më parë, pasi përfitoi nga amnistia, por tashmë do të rikthehet sërish në burg.