Aranit Muraçi
Vështirë të gjendet një vend tjetër në Europë, ku tifozët më të zjarrtë të futbollit, pavarësisht statusit social të lihen jashtë dyerve të stadiumit në ndeshjet më vendimtare dhe më emocionuese të ekipit të tyre të zemrës. Për më tepër kur bëhet fjalë për ekipin kombëtar, të cilin të drejtën për ta ndjekur dhe për ta mbështetur e kanë të gjithë njësoj. Në rastin konkret, për ndeshjet e kombëtares, FSHF nuk është një organizatë fitimprurëse që sheh interesin ekonomik të saj, siç mund të ndodhë në raste specifike me klubet private të futbollit, që për të shtuar fitimet heqin dorë ndonjëherë nga misioni i futbollit dhe i sportit.
Dhe ndryshe nga çfarë duhet të ndodhë normalisht, në vend të tifozëve, në stadium do të ulen njerëz me pushtet ekonomik, politik, e të tjerë që do ta paguajnë biletën disafish. Pra, do të përjashtohen njerëzit e pasionuar që kanë lidhje me futbollin dhe në vendin e tyre, për arsye se me punët e futbollit apo edhe për arsye përfitimi janë përzier matrapazë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me këtë sport.
Pjesa më e madhe e të pranishmëve në stadium pritet të vijnë nga njerëz me pushtet të pamerituar, të cilët nga fuqia që u ka dhënë pushteti, sidomos ai ekonomik, duan t’i tregojnë pjesës tjetër të shoqërisë që ata janë gjithnjë aty ku ndodh suksesi. Ata duan të shfaqen gjithashtu edhe si më “patriotët” më të thekur dhe në këtë drejtim kërkojnë të krijojnë bindjen se nuk u’a kalon askush.
Ç’është e vërteta, nuk është hera e parë që ndodh!
Ka ndodhur sa herë që ka pasur ndeshje me rëndësi për ekipin tonë kombëtar. Mbrëmjen e së premtes dolën në shitje biletat për ndeshjen kualifikuese Euro 2024 të 12 Tetorit, Shqipëri-Çeki. Fitorja e mundshme, ndoshta edhe barazimi i kuqezinjve, do t’i siguronte Shqipërisë kualifikimin në finalet e Europianit, që do të mbahet vitin tjetër në Gjermani.
Interesimi i madh nga publiku, për të qenë të pranishëm në “Air Albania”, ka qenë i jashtëzakonshëm, po aq sa ç’ishte edhe abuzimi i matrapazëve me biletat. Në një stadium që mban afërsisht 22 mijë shikues, në momentin që dolën në shitje biletat pati mbi 200 mijë kërkesa. Nisur nga kjo situatë e krijuar, është i qartë shansi i madh i suksesit të abuzuesit. Pyetja që shtrohet është: ku përfunduan 14 mijë biletat që duhet t’i shkonin publikut sportdashës?
Sipas kuotave të përcaktuara nga UEFA, rreth 5% të biletave ose 1.100 vende në stadium i takojnë Federatës Çeke të Futbollit për tifozët e saj. Federata Shqiptare e Futbollit ka akorduar afërsisht 5.000 bileta për grupimet e organizuara të tifozerive shqiptare. Afërsisht si në çdo ndeshje të rëndësishme 1.000 bileta janë të rezervuara për sponsorët e FSHF dhe të UEFA-s. Në ndeshjet e zakonshme pjesa tjetër, afërsisht 14 mijë bileta, planifikohen të shiten për publikun.
Ndryshe nga herë të tjera, në këtë ndeshje, numri i biletave të rezervuara për “njerëzit me kollare” ka shkuar deri në 10 mijë. Bëhet fjalë për një interes të jashtëzakonshëm nga ministritë, politikanë, biznesmenë, dhe të afërmit e lidhur me ta, të cilët, bllokuan edhe sistemin e shitjes “online” të biletave. Madje as 3-4 mijë biletat që do t’i nënshtroheshin fatit të lotarisë për tifozët e gjerë të mbarë publikut sportdashës nuk dolën në shitje.
Për një publik të gjerë, që një muaj parë numëronte 200 mijë të interesuar për t’u pajisur me biletë, do të thotë se deri në ditën e ndeshjes interesimi mund të shkojë në 500 mijë a më tepër dhe çmimi i biletës në tregun e zi mund të rritet disafish.
Por nëse një tifoz sipas rregullores nuk ka të drejtë të blejë më tepër se 4 bileta pas daljes në shitje, atëherë cilët ishin tifozët të cilët blenë biletat?
Ajo çka ka ngritur dyshime është ndërtimi i një skeme, me qëllim përfitimin e paligjshëm nga shitja edhe e atyre 4 mijë biletave që mbetën për t’iu dhënë publikut të paorganizuar. Që do të thotë se edhe ato pak bileta të planifikuara për t’u shitur për publikun nuk kanë dalë fare në shitje, por janë “gllabëruar” nga matrapazët, të cilët synojnë t’i shesin ato në tregun e zi.
Sfida që do të luhet muajin e ardhshëm në Tiranë është vendimtare dhe shihet si një finale për kuqezinjtë. Fitorja ndaj Polonisë, e cila erdhi pas barazimit në Çeki dhe pas disa ndeshjeve pozitive për Shqipërinë e ka shtuar “andrenalinën” në radhët e tifozëve të vërtetë dhe të shumtë të Kombëtares, të cilët duan ta shijojnë ose ta ndajnë suksesin nga afër me ekipin.
Për të ndjekur suksesin e kuqezinjve në Tiranë ndaj Çekisë, rivali direkt dhe kryesor për kreun e grupit E të kualifikueseve të Europianit, FSHF vendosi çmim rekord të biletave, por pavarësisht çmimit të lartë, biletat nuk përfunduan në duart e publikut të thjeshtë.
Ndaj Çekisë çmimet e biletave thuajse u difishuan krahasuar me ndeshjet e tjera të zakonshme të një viti më parë dhe u rritën me rreth 20 për qind krahasuar me ndeshjen e fundit ndaj Polonisë. 1 biletë në vendet pas portave do të kushtojë 3 mijë Lekë të reja, ndërsa për tribunën karshi 8 mijë Lekë, ose gati dy herë më tepër se çmimi i biletave në ndeshjet e tjera të kombëtares sonë. Në tribunën Vip çmimi varion nga 15 mijë lekë deri në 25 mijë lekë të reja.
Për shtresat e paprivilegjuara të publikut çmimi i biletave në ndeshjen me Çekinë është konceptuar i papërballueshëm, ndaj edhe me sa duket i përjashtuan nga e drejta për t'u pajisur me biletë, pavarësisht sakrificës apo dëshirës së ndonjërit prej tyre, për t’u pajisur me biletë.
/Liberale.al/