Manchester City nuk arriti të fitojë as Premier Leaguen dhe as Ligën e Kampionëve këtë sezon, por klubi po përgatit një merkato verore shumë të fuqishme.
Sipas mediave, “qytetarët” janë në kërkim të një zëvendësuesi për Kevin De Bruyne, i cili pritet të largohet nga skuadra në fund të sezonit pas 10 vitesh. Objektivi kryesor është mesfushori gjerman Florian Wirtz, 22 vjeç, që ka shkëlqyer këtë sezon me Bayer Leverkusen.
City do të përballet me konkurrencën e Bayernit të Mynihut për të siguruar firmën e lojtarit. Sipas gazetarit Christian Falk nga “Bild”, klubi anglez është gati të ofrojë deri në 150 milionë euro – shumë më tepër se 100 milionët që ofron Bayern Munich.
Nëse transferimi realizohet, Florian Wirtz mund të bëhet blerja më e shtrenjtë në historinë e Manchester Cityt, duke kaluar rekordin aktual të Jack Grealish, i blerë për 117.5 milionë euro nga Aston Villa.
Shtypi britanik raporton se Wirtz ka udhëtuar tashmë drejt Manchesterit së bashku me prindërit për të zhvilluar bisedime me trajnerin Pep Guardiola.
Sezonin e fundit me Bayer Leverkusenin, Wirtz ka luajtur 43 ndeshje, ka shënuar 16 gola dhe ka dhënë 13 asistime, duke qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës.