Sport

Serbia, një ndeshje që vlen për Kuqezinjtë sa kualifikimi historik në një Botëror

Shkruar nga Liberale

Serbia, një ndeshje që vlen për Kuqezinjtë sa kualifikimi

Ëndrra kuqezi për kualifikimin historik në finalet e një botërori mund të kalojë nga Serbia. Ashtu si në Euro 2016, kur në kualifikueset për në Europianin e parë kishim rival kryesor Serbinë, kuqezinjtë synojnë të shkruajnë historinë ndaj të njëjtit kundërshtar.

Trajneri Silvinjo theksoi se e di historinë dhe u shpreh se ndeshja me Serbinë është më specifike, por shtoi se Shqipëria do të futet në fushë për të treguar një identitet në lojë.

“Duhet të fokusohemi te puna. Ndeshja me Serbinë është më specifike, e di historinë. Në duhet të fokusohemi te futbolli që duam të bëjmë. Jemi një skuadër që luajmë me zemër dhe shpirt. Kemi një identitet tonin”, u shpreh Silvinjo.

Shqipëria do të përballet me Serbinë më 7 Qershor, në “Arenën Kombëtare”, ora 20:45.
Ndeshja ndaj Letonisë do të luhet më 10 Qershor, në stadiumin “Skonto Stadions”, po në orën 20:45.

Trajneri Silvinjo e cilësoi si speciale ndeshjen e Shqipërisë ndaj Serbisë. Sipas tij, lojtarët që do të vijnë në grumbullim, duhet të jenë të gatshëm të japin zemrën dhe shpirtin në fushë.

Në konferencën për shtyp, Silvinjo u shpreh se të gjithë lojtarët do të jenë të rëndësishëm për dy ndeshjet, ndaj Serbisë dhe Letonisë.

“27 lojtarët që kam, janë shumë të rëndësishëm. Duhet ta përgatisim ndeshjen mirë. I njohim kundërshtarët. Ata mund të na kenë studiuar ne, kështu që mund të kemi ndonjë ndryshim, por të shohim në ditët e ardhshme, kur të përgatisim ndeshjet.
Janë dy ndeshje të forta dhe të vështira. Kemi parë ndeshjet që kanë luajtur. Ne kemi pasur një vit që kemi luajtur me kundërshtarë të vështirë. Janë dy skuadra të forta dhe kanë centimetra. Janë shumë të fortë. Duhet të harxhojmë shumë energji për ta. Çdo ndeshje futbolli zgjat 90 minuta dhe mund të ndodhë gjithçka. Ne kemi mundësitë tona dhe do të përgatitemi mirë.
Jam i sigurt që do të duhet të punojmë, sepse me Serbinë është ndeshje speciale. Kjo vlen për të dyja ndeshjet. Na presin 7 ditë pune intensive. Lojtarët duhet të vijnë me dëshirën për të dhënë gjithçka në fushë. Ne letër mund të diskutohet vendi i dytë, por futbolli luhet në fushë. Kërkoj që lojtarët të japin zemrën në fushë. Fusha do të flasë”, deklaroi Silvinjo.

Trajneri i Shqipërisë, Silvinjo, komentoi zgjedhjet e bëra në listën e Kombëtares, për ndeshjet e radhës, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit.

Tekniku kuqezi deklaroi se shumë lojtarë e kanë mbyllur tani sezonin dhe mund të jenë të lodhur, por shtoi se ka edhe nga ata që e kanë mbyllur më herët dhe kanë qenë me pushime gjatë kësaj kohe.

Silvinjo tha se ka 10 ditë kohë, për të bërë një punë të mirë me lojtarët për ndeshjet e radhës.

“Është një moment specifik i sezonit. Shumë nga lojtarët e mbarojnë sezonin tani. Një pjesë e tyre mund të jenë lodhur shumë, disa kanë luajtur më shumë. Disa të tjerë mund të jenë me pushime, sepse e kanë mbyllur sezonin më herët. Ne kemi 10 ditë për të bërë një punë shumë të mirë. Është një moment specifik ky i këtij grumbullimi”, tha ai.

Lista e Kombëtares:
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani

Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami

Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha

Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku

Poll
SHQIPENGLISH