Aranit Muraçi
Ata vetëm sjellin. Nuk marrin asgjë pas. Ndoshta as mirënjohjen që meritojnë. I sjellin të ardhura vendit tonë çdo vit sa afro rreth 20 për qind e buxhetit të shtetit. As të drejtën e votës nuk kanë fituar ende. A nuk tingëllon si hipokrizi thirrja apo ftesa që shpesh u bëhet emigrantëve për t’u rikthyer, me qëllim për të punuar ose për të investuar në Shqipëri, kur minimalisht 20 për qind e tyre duhet të ishin në Kuvend, si pjesë përfaqësuese e diasporës sonë.
Në projektbuxhetin e vitit 2022, financat prisnin që të mblidhnin 537 miliardë lekë të ardhura (rreth 5 miliardë euro me kursin aktual), dhe shpenzimet e pritshme pritej që të ishin 637 miliardë lekë (afro 6 miliardë euro).
Diferenca prej 101 miliardë lekësh (1 miliard euro) mes shpenzimeve dhe të ardhurave përbënte deficitin buxhetor, që pritej të mbulohet përmes marrjes së huave. Por kriza e çmimeve, nga TVSH-ja mbi TVSH, me rreth 600 milionë euro përtej planit, ndikoi pozitivisht në uljen e deficitit buxhetor.
Dhe po të mos ishte kontributi i emigrantëve, të cilët sollën para gati aq sa deficiti buxhetor, sot do kishim një mal me borxhe dhe ndoshta do të kishim falimentuar e si pasojë do ta administronin të tjerët.
Sipas statistikave të bilancit të pagesave të Bankës së Shqipërisë, prurjet e emigrantëve për vitin 2022 arritën në 834 milionë euro.
Me një rritje prej 9.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, emigrantët tejkaluan të ardhurat e vitit 2008-s prej 834 milionë euro, që është dhe viti më i hershëm kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.
Sipas tremujorëve, vlera më e lartë e dërgesave nga emigrantët u arrin në tremujorin e tretë dhe të katërt, përkatësisht 216 dhe 242 milionë euro. Shifra e tremujorit të katërt prej 242 milionë eurosh, është më e larta e regjistruar ndonjëherë në një tremujor, që nga 2008-a, kur nisinedhe kriza ekonomike në Europë, që preku vendet fqinje, Itali dhe Greqi, aty ku jetojnë dhe punojnë shumica dërrmuese e emigrantëve shqiptarë. Ishte kjo arsyeja pse kriza ndikoi ndjeshëm në ekonominë tonë për vote me radhë.
Rritja e remitancave pas pandemisë dhe krizës energjetike lidhet me vështirësitë për shumë familje nga kriza e çmimeve dhe si zgjidhje, për shoqëri si ajo shqiptare, me lidhje të forta familjare dhe farefisnore, ka mbetur si gjithnjë mbështetja te njëri-tjetri.
Dërgesat e emigrantëve gjatë viteve të fundit po ndjekin një cikël të ri rritjeje, që i detyrohet kryesisht valës së re të emigracionit të dekadës së fundit.
Pas vitit 2013 nisi një cikël i ri emigracioni, që po përfshin gjithnjë e më shumë të rinjtë e arsimuar e të kualifikuar, të cilët po shfrytëzojnë nevojën për punë të specializuar në vende të ndryshme të BE-së, sidomos në Gjermani.
Sipas vlerësimeve të Instat, Shqipëria ka një diasporë prej afërsisht 1.7 milionë banorësh, nga të cilët rreth një milion është e shpërndarë në vende të ndryshme të Bashkimit Europian.
.
Anglia është një tjetër destinacion, i viteve të fundit për shqiptarët. Edhe operatorët vendas të transferimit të parave konfirmojnë se Gjermania dhe Anglia janë korridore të reja, në raport me tradicionalet, si Greqia dhe Italia, duke pasur gjatë viteve të fundit një ecuri më të mirë në trendin e dërgimit të parave tek të afërmit e tyre në Shqipëri.
Të dhënat tregojnë se shqiptarët janë ndër diasporat e Europës që sjellin më shumë të ardhura, në raport me popullsinë. Kosova është një shembull tjetër i kulturës dhe i atdhedashurisë së shqiptarëve.
Sipas Institutit GAP dërgesat e diasporës në Kosovë gjatë vitit 2022 ishin 1.22 miliardë euro. Gap thotë se Gjermania vazhdon të mbetet shteti nga i cili pranohen më së shumti remitancat. “Gjatë vitit 2022, remitancat (dërgesat e diasporës) në Kosovë ishin 1.22 miliardë euro, rreth 69.5 milionë euro apo 6% më shumë se në vitin 2021”, thuhet në njoftim. “Gjermania vazhdon të mbetet shteti nga i cili pranohen më së shumti remitanca (40%).”
Megjithëse i sjell kaq shumë, e palodhur dhe nuk dorëzohet kurrë, diaspora shqiptare e cila përfaqëson Tiranën, ndryshe nga ajo e Prishtinës, nuk ka fituar dot as të drejtën e votës. /Liberale.al/