Ka qenë e tensionuar konferenca për shtyp e trajnerit të përfaqësueses serbe, Dragan Stojkoviç “Pixi”, në prag të ndeshjeve kundër Shqipërisë dhe Andorrës.
Stojkoviç foli për pritshmëritë ndaj ndeshjes me Shqipërinë, e cila është cilësuar si takim me rrezik të lartë, ndërsa me tone emocionale komentoi edhe vendimin për të mos llogaritur më tej Sergej Milinkoviç-Saviç për aq kohë sa ai të jetë në krye të ekipit.
Konferenca u dominua nga tensioni dhe deklarata të forta, për shkak të zhurmës publike dhe kritikave të marra për listën e lojtarëve të grumbulluar dhe mungesat e bujshme. I pyetur për numrin e madh të futbollistëve që kanë dhënë dorëheqjen nga kombëtarja, Stojkoviç reagoi ashpër:
“Nëse unë jam problemi, jap dorëheqjen pas kësaj konference, mjeshtër. Që të jemi të qartë. Ndoshta jo sot, por nesër, nëse kjo është e vërtetë. Por nuk besoj se është. Këta janë lojtarë që kur panë se nuk kishte vend për ta, thanë ‘Po largohem vetë’.”
Trajneri theksoi se përzgjedhja e lojtarëve bëhet në bazë merite dhe vendimet i merr ai personalisht: “Ekipi ndryshon, thërrasim lojtarët sipas meritës. Disa mendojnë se Lazoviç nga Verona, që lufton çdo vit për mbijetesë, është çfarë i duhet Serbisë. Dhe për portën zgjodha Petrović, jo Dmitrović. A është kjo një gabim? Sipas kujt? Nëse Dmitroviç është i zemëruar, edhe unë jam i zemëruar që nuk mundëm Slloveninë.”
Për Radonjiçin, ai u shpreh i prerë:
“Cili është problemi me Radonjiçin? Nuk më pëlqen? Nuk më pëlqen modeli i flokëve? Ai po shkatërron veten, ekipin dhe karrierën. Dhe doni të më thoni që meriton të jetë në ekipin kombëtar? Nuk luan dot për një sprint kundër Stuttgartit! Gjithçka është në bazë merite. Të zemërohen sa të duan, kjo është puna ime. Ata që nuk luajnë, gjithmonë do të zemërohen.”
Ai tha se përgjegjësia është e madhe dhe lojtarët duhet ta kuptojnë këtë. Lidhur me çështjen e Sergej Milinkoviç-Saviç ndërsa zbuloi prapaskenën:
“Kemi folur pesë herë. Në bisedën e fundit pas përfundimit të Ligës së Kombeve, ai pranoi se nuk është gati mendërisht. Për aq kohë sa unë jam trajner, ai nuk do të ftohet më. Nuk ka më kuptim të humbim kohë. Unë e vlerësoj shumë, por s’mund të përpiqem pafund për të bindur dikë që nuk ka dëshirë të luajë për vendin”, tha ai.
Ai përmendi si shembull pozitiv Adem Ljajiçin, për dëshirën dhe përkushtimin që ai tregon ndaj përfaqësueses.