Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) është mbledhur sot për të shqyrtuar ankimimin e Partisë Demokratike dhe aleatëve të saj (PD-ADSHM) për rezultatin e zgjedhjeve në qarkun e Lezhës.
Edhe pse PD ka fituar 4 mandate ndaj 3 të PS në këtë qark, përfaqësuesit e saj kanë kërkuar pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre, duke pretenduar për parregullsi dhe shkelje të Kodit Zgjedhor.
Përfaqësuesi i PD-së, Indrit Sefa dhe avokati Ledio Logu, renditën disa shkelje, përfshirë përfshirjen e policisë në fushatë, përdorimin e fondeve publike, presion mbi administratën dhe manipulimin e votës së diasporës. Sipas tyre, ka edhe hetime të hapura nga Prokuroria e Lezhës dhe SPAK për disa raste të përfshirjes së përfaqësuesve të PS-së në shkelje të ligjit zgjedhor.
Logu akuzoi gjithashtu edhe kryebashkiakun e Lezhës, Pjerin Ndreu, për veprime të paligjshme gjatë fushatës, dhe kërkoi përjashtimin e anëtarit të KAS, Ilirjan Rusmali, për shkak të një konflikti interesi.
Ndërkohë, përfaqësuesja e KQZ-së, Pavlina Doçaj, tha se pretendimet e PD-së nuk janë të mbështetura në prova konkrete dhe nuk justifikojnë përsëritjen e zgjedhjeve.
KAS pritet të japë një vendim pas shqyrtimit të të gjitha pretendimeve dhe provave të paraqitura.