Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare në Sofje, ku është pritur nga autoritetet më të larta bullgare. Në fokus të takimeve ka qenë forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve dhe mbështetja e Bullgarisë për integrimin europian të Shqipërisë.
Në një takim me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, dhe Zëvendëspresidenten Iliana Iotova, Spiropali shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Bullgaria i jep Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe NATO-s. Ajo theksoi rëndësinë e marrëdhënieve të ngushta mes dy vendeve, të cilat forcohen edhe nga komunitetet respektive pakicë në të dyja shtetet.
“Shqipëria është e angazhuar për mbrojtjen e të drejtave të pakicës bullgare në vendin tonë, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare,” u shpreh Spiropali.
Nga ana tjetër, Presidenti Radev e vlerësoi Shqipërinë si një partnere të besueshme dhe tha se vendi ynë po ecën më shpejt se çdo tjetër kandidat drejt BE-së. Ai vlerësoi përkushtimin e Shqipërisë për respektimin e të drejtave të njeriut dhe standardet europiane ndaj pakicave.
Më pas, Spiropali u prit edhe nga Kryetarja e Parlamentit bullgar, Nataliya Kiselova. Ajo është e para kryetare e Kuvendit shqiptar që viziton Parlamentin e Bullgarisë pas zgjedhjes së znj. Kiselova.
Në deklaratën për shtyp pas takimit, Spiropali theksoi se bashkëpunimi parlamentar mes dy vendeve do të thellohet edhe më tej dhe se Shqipëria ka mbështetjen e plotë të Bullgarisë për të arritur objektivin e anëtarësimit në BE brenda vitit 2030.
Gjatë qëndrimit në Sofje, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një bashkëbisedim me ambasadorë, parlamentarë, diplomatë, studentë dhe përfaqësues të biznesit, ku foli për reformat dhe progresin e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së. Aktiviteti u organizua nga Klubi i Atlantikut të Bullgarisë dhe PanEuropa.