Politikë

THE ECONOMIST: SPAK në Shqipëri po rrëzon “të paprekshmit”

Shkruar nga Liberale

THE ECONOMIST: SPAK në Shqipëri po rrëzon “të

Analizë e The Economist: Si po bien të fuqishmit, Njësia e re antikorrupsion e Shqipërisë po rrëzon figurat e mëdha. Kryeministri Edi Rama nuk shafqet gjithmonë i kënaqur

Në Tiranën e viteve 1930, siç shkruan akademikja shqiptare Lea Ypi në një libër që pritet të botohet, njerëzit debatonin nëse korrupsioni ishte “shkaku i mjerimit shqiptar apo pasojë e tij më natyrale”. E njëjta dilemë mund të dëgjohet ende në kryeqytetin shqiptar. Por një gjë ka ndryshuar: për herë të parë në historinë njëqindvjeçare të shtetit shqiptar, një njësi e pavarur kundër korrupsionit po arreston politikanë, zyrtarë dhe trafikantë droge – pa u trembur nga ndikimet apo postet e larta.

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nisi punën në vitin 2019. Sipas sondazheve, 76% e shqiptarëve kanë besim te SPAK, duke e bërë institucionin më të besuar në vend. Gjithnjë e më shumë pjesëtarë të elitës shqiptare, përfshirë edhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste në pushtet, janë kapur në rrjetën e tij. Kryeministri Edi Rama nuk është më aq entuziast sa kur SPAK arrestonte vetëm kundërshtarët e tij.

Në vitin 2023, SPAK vendosi në arrest shtëpie Sali Berishën, ish-president dhe aktualisht lider i opozitës kryesore. Ai po gjykohet për korrupsion. Po ashtu, u arrestua edhe Ilir Meta, një tjetër ish-president dhe drejtues opozitar, i akuzuar për të njëjtën vepër. Ish-ministra të qeverive të Ramës janë ndaluar gjithashtu, dhe në shkurt, radha i erdhi Erion Veliajt, kryetarit socialist të Bashkisë së Tiranës, i konsideruar pasues potencial i Ramës. Të gjithë i mohojnë akuzat.

Në luftën kundër krimit të organizuar, SPAK ka pasur suksese të mëdha në bashkëpunim me policitë e huaja. Një bos shqiptar i drogës operon zakonisht nga Dubai. Blerësit e tij në Ekuador e dërgojnë drogën në Europë, ku njerëzit e tij kujdesen për shpërndarjen. Fitimet investohen në ndërtime në Shqipëri, dhe ushtarët e tij blejnë apartamente. Në korrik, SPAK sekuestroi pasuri të dyshuara si të ardhura nga pastrimi i parave të drogës nga Zvicra, dhe akuzoi një grup tjetër për përpjekje për të trafikuar armë në Britani.

Arrestimet e politikanëve kanë ndezur më shumë debat. Berisha thotë se Rama po e përndjek dhe e quan SPAK-un “kamxhiku” e tij. Por numri në rritje i bashkëpunëtorëve të afërt të Ramës të akuzuar për korrupsion ka dëmtuar edhe imazhin e kryeministrit. Kur u arrestua Veliaj, Rama e akuzoi SPAK-un për shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo solli kritika nga Bashkimi Europian; një diplomat i BE-së e quajti akuzën e Ramës “budallallëk”. Rama më pas u tërhoq nga kritikat.

Rama ka premtuar se Shqipëria do të anëtarësohet në BE deri në vitin 2030. Një histori suksesi në luftën kundër korrupsionit është kusht i domosdoshëm, dhe disa shtete anëtare e vlerësojnë bashkëpunimin e SPAK-ut në luftën kundër bandave të drogës. Sa do të donte Rama të mbronte Veliajn, ai e kuptoi se sulmet ndaj SPAK-ut ishin politikisht të dëmshme. Një burim në drejtësi thotë me cinizëm: “Nëse klasa politike do të ishte e kënaqur me punën e SPAK-ut, do të kishim problem”.

Erion Veliaj e nisi karrierën si aktivist kundër korrupsionit. Që nga viti 2015, si kryebashkiak i Tiranës, ai ka ndihmuar në transformimin e saj nga një qytet i rrënuar në një metropol tërheqës. Por SPAK thotë se ai dhe bashkëshortja e tij kanë pastruar para nga ndërtuesit përmes një skeme që përfshinte edhe donacione për OJF-të. Gjashtë muaj pas arrestimit, Veliaj vijon të mbahet në paraburgim dhe është zyrtarisht i pandehur që nga 23 korriku. Kjo është diçka e zakonshme në Shqipëri, ku 62% e të burgosurve janë në paraburgim – shumë më tepër se në pjesën tjetër të Europës. Krahas tij është marrë i pandehur edhe një deputet socialist i akuzuar për manipulim dëshmitarësh. Më 15 korrik, SPAK akuzoi edhe një ish-deputet tjetër socialist për dhënie informacioni të policisë një krimineli gjatë fushatës zgjedhore. Veliaj, bashkëshortja e tij dhe dy deputetët i mohojnë të gjitha akuzat.

Arbi Veliaj, vëllai i kryebashkiakut, thotë se SPAK ka “dalë nga kontrolli” dhe po e mban në burg me akuza të paqëndrueshme. Arrestimi i tij ka ndarë opinionin publik në Tiranë. Disa e krahasojnë SPAK-un me Sigurimin famëkeq të diktaturës. Të tjerë gëzohen për rrëzimin e të fuqishmëve, që sipas tyre kanë vjedhur për vite me radhë. Burimi nga drejtësia thekson se themelimi i SPAK-ut kishte një qëllim: t’i jepte fund “kulturës së pandëshkueshmërisë” në Shqipëri. Dhe nëse ja del, kjo do të ishte ngjarja e shekullit.

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH