Gjatë një komunikimi live në rrjetet sociale, Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi më efektiv mes qytetarëve dhe institucioneve, duke vënë në fokus përdorimin e platformës shtetërore e-Albania për denoncime dhe ndërveprim institucional.
Rama u shpreh se çdo institucion që nuk reagon brenda 24 orëve nga momenti i raportimit të një shqetësimi nga qytetarët, mund të denoncohet për papërgjegjësi. Ai njoftoi gjithashtu një reformë të thellë në strukturën e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), duke theksuar se do të ketë ndryshime thelbësore në mënyrën e funksionimit dhe përgjegjësive të këtij institucioni në nivel vendor.
“Keni një platformë të cilën e keni në e-Albania, ku mund të punojmë dhe të bashkëpunojmë. Nëse brenda 24 orëve nuk ka reagim, atëherë keni të drejtën të denonconi institucionet përkatëse për papërgjegjësi,” deklaroi Rama.
Duke folur për ndërtimet pa leje, Kryeministri ishte i prerë: nuk do të ketë më tolerim për asnjë rast. Sipas tij, çdo ndërtim i paligjshëm do të konfiskohet nga shteti ose do të shembet.
“Kush do të ndërtojë një metër katror të paligjshëm, nuk do ta gëzojë dot. Ose do e marrë shteti, ose do hidhet në tokë. Kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë,” theksoi ai.
Ai shtoi se adresimi i rasteve duhet të bëhet përmes platformës zyrtare me prova dhe fakte, jo përmes rrjeteve sociale si Facebook, duke bërë thirrje për më shumë angazhim qytetar dhe për një kulturë denoncimi të bazuar në dokumentim të saktë.