Një aksident tragjik rrugor i ka marrë jetën dy të rinjve në zonën e njohur si “Pusi i Mezit” në Vlorë. Viktimat janë Luan Llanaj, 19 vjeç, dhe shoku i tij Tomorr Mbrati, 16 vjeç.
Dy të rinjtë po ktheheshin nga puna në një servis makinash, kur për arsye ende të paqarta, motori me të cilin udhëtonin ka dalë nga rruga. Mjeti është përplasur fillimisht me një shtyllë elektrike dhe më pas me një shtyllë druri.
Luan Llanaj humbi jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa shoku i tij Tomorr Mbrati u dërgua me urgjencë në spital, por për fat të keq nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda.
Ngjarja ka tronditur thellësisht familjarët e tyre, banorët e zonës, dhe miq, të cilët kanë vendosur lule dhe qirinj në vendin ku ndodhi aksidenti, në shenjë nderimi për dy të rinjtë që përshkruheshin si të sjellshëm, punëtorë dhe me familje të ndershme.
Njëri prej viktimave jetonte vetëm me nënën dhe punonte për të mbajtur familjen, ndërsa të dy shokët ndanin bashkë punën dhe jetën e përditshme.
Shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet vijojnë nga autoritetet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.