Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 2 vendet më të varfra në Europë, ‘nuk jemi më vetëm’, por pse s'ia dalim dot?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 2 vendet më të varfra në Europë,

Nga Aranit Muraçi

Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, Bosnja dhe Hercegovina është vendi i dytë më i varfër në Evropë, sepse vetëm shqiptarët jetojnë më keq se ata në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Rajoni ynë vlerësohet edhe si ndër rajonet më të varfra të kontinentit. Serbia qëndron te 52% i mesatares evropiane.

Bosnja dhe Hercegovina është nën 50% të mesatares europiane, me 41%, dhe renditet më mirë në Ballkan vetëm se Shqipëria, që është 39% të mesatares së BE-së”, sipas Eurostat.

Në rajonin tonë, nga vendet kandidate për në Bashkimin Europian Mali i Zi renditet më i miri (60%), i ndjekur nga Serbia (52%), Maqedonia e Veriut (49%), ndërsa Bullgaria, vend anëtar i BE-së, (63%).

Në BE, Luksemburgu kishte standardin më të lartë të jetesës nga të dhënat e Eurostat për vitin e kaluar, me 46% mbi mesataren e BE-së, i ndjekur nga Danimarka dhe Gjermania, të cilat janë 20% mbi mesataren e Bashkimit Europian, sipas Eurostat.

Më afër mesatares së BE-së janë Italia, Lituania dhe Qiproja, ndërsa Republika Çeke, Sllovenia, Polonia, Spanja, Portugalia dhe Rumania, mesatarisht 15% më poshtë mesatares së Bashkimit Europian. Kroacia është ndër vendet e BE-së me standardin më të ulët të jetesës, i cila matet mbi konsumin real individual për frymë, në raport me GDP-në gjatë një viti. Kroacia renditet me 27% nën mesataren e BE-së.

Në fakt, vendi ynë është konsideruar që pas rënies së komunizmit, si vendi më i varfër i Europës. Gjatë viteve të tranzicionit, për shkak të dështimeve të njëpasnjëshme të politikave të gabuara qeverisëse, kemi dëgjuar që dështimet të përkthehen në “sukses”, ku herë si ekonomi jemi renditur për nga rritja pas Gjermanisë dhe herë tjetër kemi pësuar rritje dyshifrore.

Mungesa e një modeli ekonomik si dhe mungesa e perspektivës për të ndërtuar të ardhmen në vendin e tyre, i ka detyruar shqiptarët, që të largohen masivisht, vit pas viti, që prej 1990.

Sipas Eurostat, numri i shtetasve të Shqipërisë që morën nënshtetësi në BE, në vitin 2020 ishte 146% më i lartë se në vitin 2010, ndërsa për shtetasit turq numri ra me 49%. Numri i azilkërkuesve për herë të parë në BE nga Turqia u shumëzua me 5 midis 2014 dhe 2020, nga 4 100 në 20 300. Por edhe në listën e azilkërkuesve shqiptarët prej disa vitesh përmenden për shifrat e  larta dhe shqetësuese në Europë.

Në vitin 2020, normat e punësimit për gratë ishin nën 50% në pesë nga vendet kandidate dhe kandidate potenciale për në BE: Maqedonia e Veriut (49.0%), Mali i Zi (48.8%), Bosnja dhe Hercegovina (40.0%), Turqia (32.0%) dhe Kosova ( 16.0%). Në BE, norma ishte 66.1%. Në Shqipëri, 36.1% e fuqisë punëtore punonin në bujqësi, pylltari dhe peshkim në vitin 2020, kurse në vendet e BE-së, pesha e të tillë sektorëve zinte 4.3%. Edhe pse bujqësia është sektori kryesor dhe me numrin më të madh të të punësuarve, ajo ka mbetur në shumë fshatra dhe zona rurale si në mesjetë, pasi shteti thuajse nuk ka vënë dorë, prej 30 vitesh.

Në matematikë, siç dimë, një problem nuk zgjidhet nëse nuk shtrohet problemi për zgjidhje. Për zgjidhje, problemi ka të panjohurat e tij. Jo çdo nxënës ka aftësitë ta zgjidhë atë në kohë.

Edhe vendi ynë, për të dalë nga kjo situatë, së pari duhet të njohë, pranojë , si dhe të analizojë problematikën. Sigurisht, procesi i zhvillimit kërkon kohë, punë por mbi të gjitha njerëz të aftë. Zhvillimin shoqëror kudo në botë e sjellin vizione dhe politika zhvilluese afatgjata, që lidhen me edukimin dhe arsimimin e shoqërisë. Zhvillimi dhe mirëqenia ekonomike kërkojnë të udhëhiqen në çdo sektor nga njerëz të arsimuar mirë dhe me aftësi të veçantë drejtuese. Nuk kërkon shpikje, por thjesht të ndjekësh modelet e vendeve të tjera të rajonit tonë, ose të BE-së.   /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH