Letërsi

Shënime për “Blogun e një vajze single” të Iva Tiços

Shkruar nga Liberale

Diana Çuli

Lexoj këtë përmbledhje shkrimesh të gazetares dhe publicistes Iva Tiço dhe bie në mendime, si rrallëherë. E kujtoj që në vitet e para të shfaqjes së saj në media, në atë të shkruar dhe në atë vizive, i kujtoj debatet ndër vite, ekranin e vogël, ku ajo ka qenë gjithnjë e pranishme, shkrimet për kulturën, revistat “Klan”, “Jeta” dhe “Madame”, ku ka punuar e ku ka shkruar paprerë, portalin Tirana Post, ku angazhohet këto kohë, Instagrami-n, ku është e pranishme me një veprimtari krejt të ndryshme dhe them me vete: është kaq e re dhe ka një jetë kaq të gjatë! Koha shkurtohet e zgjatet, sipas teorisë së relativitetit të Ajnshtajnit, që gjithnjë më ka ngritur padashur paralele me jetën e njeriut. Më është dukur sikur ai nuk e ka zbuluar për hapësirën, por për mënyrën se si e jetojmë ne jetën dhe kohën në Tokë.

Dhe Iva, po të perifrazojmë një thënie të Umberto Eco-s mbi jetët e shumta që jetojmë sa më shumë lexojmë, ka disa jetë brenda jetës së saj biologjike. Në këto vite të post-diktaturës ka qenë pranë lexuesit dhe shikuesit me këndvështrimet e saj krejt origjinale mbi jetën, mbi shoqërinë shqiptare, mbi vetë shqiptarin dhe shqiptaren që kërkojnë identitetin dhe vendin e tyre në këtë shoqëri në ndryshim, në përkeqësim, në përmirësim, në përmbysje, në kërkim të vetvetes, në kërkim të kuptimit edhe të vetë të qenit shqiptar mes kësaj bote globale, së cilës, përfundimisht nuk mundemi më t’i shmangemi, siç u përpoq, në mënyrë të panatyrshme regjimi i dikurshëm.

Dhe, origjinal është dhe këndvështrimi i këtij libri. I guximshëm, thyes tabush, ku shtrohen çështje ekzistenciale të një brezi të tërë, ku ngrihen pyetje, ku ndoshta dhe fshihen pyetje edhe më shqetësuese, por që ndihen se pulsojnë nën shtresën e dukshme, që autorja e ka ndërtuar të tillë, që ne të dimë të depërtojmë poshtë saj.

Në pamje të parë shkrimet mund të duken grimca të jetës së një gruaje të re e single. Kjo fjalë tanimë është globale. E përdorin dhe italianët, të lidhur ngushtësisht me gjuhën e tyre të pasur, po edhe vetë francezët, puristët më të përkushtuar në botë ndaj gjuhës së tyre, për të mos folur për të tjerët më pas, se mjaftojnë këta dy shembuj. Këto shkrime autorja i ka shkruar herë pas here dhe një numër i tyre janë botuar, por ato i përshkon një linjë e vazhdueshme dhe koherente, që ndryn brenda çështje shumë më të mëdha sesa ‘një fundjavë me të dashurin’, sesa një mbrëmje e vetmuar apo sesa një mendim i ngulët në kokë për të ardhmen. Nën atë cipën e sipërme, ku ka humor, ironi, vetironi, të qeshur të mbytur e gaz shpërthyes, ku ka melankoli, ëndërrime, dëshira të pathëna e të thëna, dëgjoj të lëvrijnë ato pikëpyetjet dhe ato shqetësimet që përmenda më sipër.

Iva Tiço ka përdorur një stil të sajin –përherë origjinal – ‘të lehtë’, të shoqëruar me humorin e ironinë që përmenda, për të trajtuar tema tepër të thella e të rëndësishme, si paragjykimet shoqërore mbi një shtresë të shoqërisë, siç është ajo e vajzave single. Ky paragjykim ndihet kudo, por në shoqërinë tonë ka gjithnjë një peshë më të rëndë. Iva Tiço nuk ngurron të vërë gishtin në plagë, nuk tutet se mund ta keqkuptojnë (kush?) dhe le ta keqkuptojnë, sepse ajo, që ka kaluar përmes të gjithë vrapimit me pengesa të karrierës në media të një vajze a të një gruaje dhe që është i tillë kryesisht për to e jo për djemtë e burrat, nuk ka përse t’i ngrejë diga censuruese mendimit të saj të lirë.

Është fakt i ditur se shoqëria nuk e ndëshkon një burrë single, përkundrazi, shpesh e lëvdon dhe ia ka zili jetën e lirë e pa përgjegjësira. Shpesh një beqari burrat i thonë ‘ti je i madh, nuk e paske ngrënë akoma’. Shoqëria anatemon, ndoshta jo hapur, por me mbledhje buzësh, me keqardhje të shtira, me nënkuptime të dallueshme, me mëshira të pamëshirueshme, një vajzë single. Libri i Ivës më shtyu të lexoja për të ditur diçka më shumë në nivel global dhe në studime e statistika të ndryshme gjeta se edhe burrat single kanë problemet e tyre, por kurrsesi nuk përballen me paragjykimin. Stereotipet, të të tjerëve dhe ato brenda nesh, na thotë Iva, janë të vështira të luftohen, ndoshta nga më të vështirat. Po përse? Mos vallë stereotipet përfaqësojnë frikërat tona? Mos vallë shoqëria pas të 40-ave do t’i bëjë vajzat single të ndihen si një outsider, si një Bridget Jones?

Paragjykimi shoqëror është njëra nga çështjet që Iva shtron në shkrimet e saj. Prekja edhe e problemeve psikologjike është një tjetër. ‘Eh, shkruante një single, në një revistë europiane, po vjen 2020-ta, vit i ri, po jetë e vjetër’. Që do të thotë se problemi është jo vetëm shoqëror, por edhe psikologjik. Në shkrimet e saj Iva Tiço zhbiron pa dorashka gjendjen psikologjike të vajzës e të gruas, që jo vetëm duhet të përballet me të tjerët, por edhe me veten. Me shoqet e martuara, me të tjerat e pamartuara që mposhten nga trishtimi, me vetminë që duhet përballuar, me gabimet e bëra ose me druajtjet, mëdyshjet, përvojat e hidhura që të pengojnë të kërkosh marrëdhënie të tjera, me përvojat e lidhjeve të shkurtra, jopremtuese, me ato premtuese, por të vështira… Çfarë universi njerëzor, femëror, në një libër jovoluminoz! Çfarë bote e vështirë, e hidhur herë-herë, por edhe e bukur, ngjethëse, e magjishme herë të tjera. Sikur të doja të bëja avokatin e djallit në një dialog me peronazhet e këtij libri, do t’u thosha atyre se ato kanë një as nën mëngë, që është shumë i ëndërruar nga mijëra gra të martuara dhe të palumtura në martesën e tyre e që është liria. Po ndoshta edhe tek ato që janë të lumtura. Sepse, pikërisht e tillë është bota, tepër e ndërlikuar dhe Iva këtë e jep në çdo rresht të shkrimeve të saj. Ajo e shtron për herë të parë këtë problem haptazi dhe pa komplekse, ashtu si nuk është trajtuar asnjëherë në publicistikën tonë, madje as në ato studime që hulumtojnë në këtë fushë, që kam pasur rastin të më bien në dorë. Sepse është një këndvështrim femëror për herë të parë kaq i pavarur, kaq i çlirët, kaq sfidues do të shtoja. Ai godet, ndikon, shndërron dhe të shtyn të reflektosh shumë më tepër se një vit me seminare e trajnime.

Personazhet e librit nuk janë vetëm vajzat single, por edhe burrat single. Ata që shkojnë së bashku me to në fundjava, ata të lidhjeve-provë, ata që lexojnë gazetat sportive kur duhet të jenë interesantë në bisedat e asaj fundjave të shkurtër, ata që hiqen besnikë dhe nuk janë, ata që mashtrojnë, gënjejnë, ata që duan thjesht të shtojnë listën e ‘fitoreve’ të tyre prej maçoje, që janë ende në konceptet mesjetare, sepse nuk arrijnë të kuptojnë se bota është disa shekuj përpara nga niveli i mendjes së tyre dhe se koncepti i kësaj lloj ‘fitoreje’ është qesharak, sepse nuk bëhet fjalë për fitore të askujt. Më e pakta, bëhet fjalë për kënaqësinë e dy vetëve.

Por, ky libër nuk është kundër burrave. Si mes grave, edhe mes burrave, ka vanitozë e njerëz pa peshë. Ky është një libër i shkruar për veten, për gratë e vajzat e këtij qyteti, të kësaj shoqërie, që ndoshta nuk ngjanë me njëra-tjetrën, për lëkundjet, dëshirat, problematikat e tyre. Madje, kur lexon shkrimin ‘Princesha mbi bizele’, ku autorja zgjeron rrethin e meditimit të saj, si edhe në ndonjë tjetër, atë kategori grash që ndeshim aty do të dëshironim ta takonim sa më pak në marrëdhëniet tona shoqërore. Me një penelatë të shpejtë, gjoja të pavëmendshme, por tepër sarkastike, Tiço aty na shpalos një botë të tërë kotësie, artificialiteti, sipërfaqshmërie të këtyre ‘zengjineve të reja’, që e kanë trurin sa një kokërr bizeleje dhe që bëjnë sikur nuk flenë dot mbi dyshekë ku ka një kokërr bizeleje. Dhe, meqë ra fjala, Tiço ka një aftësi stigmatizuese të jashtëzakonshme, sepse i vjen në mënyrë të natyrshme, të pasforcuar, aq sa gati nuk të duket e tillë. Dhe, meqë jemi te stili, do të shtoja se fraza me humor, me ironi, që na shtyn të vëmë buzën lehtë në gaz gjatë gjithë kohës që lexojmë, është një tjetër mjet që zgjedh për të komunikuar një mendim, një gjykim, një të vërtetë, duke përdorur të kundërtën e asaj që do të thotë, për të na i përçuar sa më mirë, duke e kamufluar pas një mendimi antagonist.

Do t’i rikthehesha përmbajtjes dhe do të zgjidhja në fund njërin nga shkrimet që më tërhoqi më shumë vëmendjen, i cili titullohet ‘Për veten’. Aty, autorja shkruan: «Vjen një ditë dhe një grua bëhet e ndërgjegjshme që çdo gjë që bën e bën për për vete (…). E rëndësishme është të vijë dita e ta kuptosh që gjithçka e ke bërë për vete. Nuk ke pse ankohesh hiç fare. Sepse dashuria për veten nuk është pako gjë. Përkundrazi, vetëm pasi e kupton se ke rënë dashuri me veten do mund të duash dhe të tjerët. Dhe të të duan”.

Që do të thotë se një qëndrim i shëndetshëm mendor mbi vetveten - e kjo vlen sa për gratë aq edhe për burrat – është receta e vërtetë për mirëqenien e secilit. Hapa të vegjël, ndryshime të mëdha, thotë një slogan psikologjik i këtyre kohëve. Libri i Ivës, përveç atyre që thamë më lart, shërben edhe për mirëqenien e secilit. Por, mbi të gjitha ai shërben për lirinë mendore të secilit prej nesh, për lirinë shpirtërore, për dashurinë për vete dhe për të tjerët - kjo e fundit e ndërtuar jo në raporte varësie e presioni shoqëror, por vetëm në qasje të barabartë.

Së fundmi, pa shpëtuar dot nga prirjet dhe përkatësitë e mia feministe, do të thosha se libri «Për vete» është dhe një kontribut tepër i veçantë në këtë fushë./Gazeta Liberale

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH