Aktualitet

PERSONAZHI I DITËS: Mirush Kabashi, ai që diti të falte ‘vdekjen e parë’... për të mbetur i pavdekshëm

Shkruar nga Liberale

Më 17 prill të këtij viti ishte ditëlindja e 75-të e Mirush Kabashit. Si në çdo ditëlindje tjetër, edhe në ditëlindjen e fundit aktori i madh mori urime të shumta nga të gjitha trevat shqipfolëse. Mirush Kabashi jetonte çdo ditë me dashurinë e pakufishme të publikut shqiptar, brenda dhe jashtë kufirit, të cilit iu përkushtua gjatë gjithë jetës dhe e deshi aq shumë. Lajmin e trishtë e bëri publik në orët e para të mëngjesit të sotëm (5 dhjetor 2023) familja e tij.

Aktor në më shumë se 100 role në teatër e filma, interpretues brilant i poezisë dhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike dhe patriotike. Mjeshtri i Madh, Mirush Kabashi, përmes interpretimit të rrallë la pas një thesar në kinematografinë dhe teatër. Nuk mjaftojnë fjalët për të përshkruar veprën dhe trashëgiminë artistike që la pas, Mirush Kabashi.

Mbi të gjitha Mirush Kabashi tregoi edhe në vitet e fundit të jetës se ishte njeri i jashtëzakonshëm dhe me vlera të rralla. Në Qershor të 2021-it në media qarkulloi lajmi i rremë se “aktori i madh kishte ndërruar jetë”.  Duke qenë se prej vitesh vuante nga një sëmundje e rëndë, titujt e rremë do ishin përjetim i dyfishtë për të, por si rrallëkush Mjeshtri i Madh e fali këtë gabim, duke thënë se gabimet njerëzore janë të pashmangshme në jetë. Ai kërkoi më tepër kujdes dhe përgjegjshmëri, por tha se të gjithë duhet të mësohemi të falim në jetë. Sepse vetëm kështu bëhemi më të mirë për veten, familjen dhe shoqërinë. E ndërsa shumë personalitete të profilit të tij nderohen pas vdekjes, Mirush Kabashi mësoi sa ishte gjallë, për shkak të këtij “gabimi njerëzor” dashurinë e pakufishme të publikut shqiptar karshi tij.

Sot ai nuk është më mes nesh. U nda nga jeta për të mbetur i përjetësuar dhe i paharruar në memorien e shqiptarëve. Edhe gazetarja që kishte qenë burimi i këtij lajmi të pakonfirmuar kërkoi ndjesë publikisht duke i uruar jetë të gjatë Kabashit. Shumë njerëz qanë e u mërzitën ditën që lexuan një gjë të tillë, por situata u kthye në një tragjikomedi pasi me marrjen vesh të së vërtetës, gëzimi ishte i pamasë.

“E mora me sportivitet, janë gjëra që ndodhin dhe duhen kaluar, por me thënë të drejtën, nja dy mesazhe që më kanë ardhur, edhe më përpara një herë për t’u verifikuar nëse unë jam gjallë, por dhe më mbrapa, për të më shprehur solidaritetin. Ishin të dhimbshme, sepse thonin që kemi qarë shumë kur morëm lajmin, por kemi qarë shumë pastaj nga gëzimi”.

“Kemi qarë akoma edhe më tepër me lot gëzimi, kur morëm vesh lajmin që ajo që mësuam në lajme nuk kishte ndodhur. Por edhe gabimet janë gjëra që ndodhin në jetë, jemi në një fushë që jemi njerëz publikë. Është një vërejtje për gazetarët, të cilët duhet ta rikonfirmojnë lajmin nga disa drejtime përpara se ta publikojnë, që ato të jenë sa më të sakta, e të mos përsëriten të tilla gabime. Gjithsesi janë gabime dhe nga ana ime i kam falur”, u shpreh Kabashi asokohe.

Mirush Kabashi, me origjinë nga Gjakova, lindi më 17 prill 1948 në Shkodër, por është rritur në Durrës ku edhe kaloi pjesën më të madhe të jetës, para se të zhvendosej në Tiranë. Më 1970 u diplomua për Aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tirane dhe menjëherë pas diplomimit filloi punë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Aty, vazhdoi deri në vitin 1994, duke pasur edhe rolin e drejtorit, 1991-1993. Më pas punoi në Televizionin Shqiptar, në departamentin e Programeve Artistike si ideator dhe prezantues, kurse nga 2002 e ne vijim në Teatrin Kombëtar. Nga viti 1985, me periudha të ndërprera, ka punuar si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit” pranë Akademisë së Arteve. Është aktor i rreth 100 roleve në teatër dhe mbi 20 roleve në film, thuajse të gjithë role të spikatura dhe të paharrueshme për publikun artdashës. Shpesh ka qenë edhe prezantues i aktiviteteve të shumta artistike.

Figurat e mishëruara nga Mirush Kabashi binin në sy për origjinalitet, finesën dhe elegancën e rallë, duke frymuar tipa me ndryshime të ndjeshme nga njëri te tjetri, karaktere që janë përzgjedhur me mençuri dhe intuitë nga ana e tij. Mes qindra roleve të spikatura në teatër, më 1997, në vitin e vështirë për shqiptarët, realizoi të parën monodramë në historinë e teatrit në Shqipëri, “Apologjia e vërtetë e Sokratit”. Roli i Sokratit është ndoshta kulmi i tij artistik, ku fuqia interpretuese tërheq vëmendje në të gjitha skenat ndërkombëtare dhe vlerësohet me çmime të shumta.

Profili i tij krijues është shfaqur më tej gjatë interpretimit te mbi 20 roleve në kinematografi. Shazivari (filmi Koncert ne vitin ’36, 1978), ishte roli që e veçoi dhe i dha siguri karrierës së tij në ekran. Në rolin e togerit shik e qejfli, pa e kthyer në qëllim më vete, përkundrazi, në voli të ironizimit të tij, ai u shndërrua në një aktor të përmasave kombëtare. Me rolin e Nikollaqit (te filmi “Karnavalet e Korçës”, 1980, nderuar me Medaljonin e Festivalit), dëshmoi një përmasë të re të aktrimit të tij: veç aftësive në përvijimin plastiko-ritmik të figurës, edhe të aftësive muzikore. Kabashi i dha formë burleske rolit të asketit Lithan (te filmi Kohë e largët, 1983), njeriut tinëzar, disi grotesk e tepër misterioz, si të ardhur prej mugujve, ku fshihej e keqja dhe krimi. Nga realizimet më të bukura të tij në kinematografi ishte roli i Brahushit (te filmi “Dora e ngrohtë” 1983), me te cilin aktori rolin e njerëzve të pandreqshëm, sherrxhinj e të inkriminuar, të  cilët duan të tërheqin shokë pas vetes.

Disa nga filmat e tjerë ku ka luajtur Mirush Kabashi janë: “Ne dhe Lenini”,  “Nata”, “Edhe ashtu edhe kështu”, “Binarët”, “Zëvendësi i grave”, “Nxënësit e klasës time”, “Shoqja nga fshati”, “Zani partizani”, “Emblema e dikurshme”, “Radiostacioni” etj.

Mirushi u shpall ‘Aktori më i mirë’ me rolin e Sadush Nezirit te komedia “Hija e tjetrit” e Ruzhdi Pulahës. Me të njëjtin rol si dhe me rolin e Sokratit u vlerësua ndër aktorët më të mirë edhe në ‘Festivalin Teatror Ballkanik’ të zhvilluar në Korinth të Greqisë. Në vitin 2002 fitoi gjithashtu çmimin e “Aktorit më të mirë” si protagonist ne Festivalin e Aktrimit “Apollon 2002”. Kabashi u vlerësua me “Sfinksin e artë” si interpretuesi më i suksesshëm në një event në Egjipt.

Në 2014, u nderua me titullin e lartë “Nderi i Kombit”. Sot u nda nga jeta aktori, i cili u përjetësua përmes veprës së rrallë artistike dhe vlerave të rralla humane që la pas, për të tjerët. /Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH