Aktualitet

Ministria e Mbrojtjes: Kujdes nga zjarret, 11 vatra aktive vetëm ditën e djeshme

Shkruar nga Liberale
Ministria e Mbrojtjes: Kujdes nga zjarret, 11 vatra aktive vetëm ditën

Zëvendësministrja e Mbrojtjes, Dallëndyshe Bici ka raportuar sot në lidhje me gjendjen e zjarreve në vendin tonë. Ajo tha se, sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave vetëm ditën e djeshme ishin 11 vatra zjarri aktive.

Duke raportuar për situatën në 24 orë, Bici u shpreh se, u bë i mundur izolimi i plotë i vatrave: -në Lekbibaj të Tropojës, në Maqellarë të Dibrës, në pyllin e Ballollit, Poliçan, në fshatin Qesarat, Livadhja, në fshatin Gjeç Fushë, bashkia Vorë si dhe në fshatin Allkaj, bashkia Lushnjë, në Kodër Arapaj në Durrës.

Sipas zëvendësministres, aktualisht janë nën monitorim 2 vatra zjarri në: fshatin Mash të Tropojës dhe në fshatin Shetaj të Durrësit, ku zjarri ka intensitet të ulët dhe pa rrezik për banesat.

Më tej Bici theksoi se, në fshatin Bërzanë në bashkinë Lezhë operacioni nisi që prej orëve të para të mëngjesit dhe aktualisht është arritur izolimi i vatrës dhe po mbahet nën kontroll nga forcat në terren.

"Strukturat e sistemit të mbrojtjes civile janë në gatishmëri të plotë me të gjitha kapacitetet nga toka dhe ajri për mbajtjen nën kontroll të situatës në të gjithë vendin. U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm edhe në ditët e ardhshme, kur parashikohen ditë të nxehta. Ndiqni rekomandimet e Agjencisë së Mbrojtjes Civile. Mos hidhni në asnjë rast bishtat e cigareve në zona ku ka bar, pasi ekziston mundësia për nisjen e një zjarri! Mos ndizni zjarre në pyje! Nëse ndizni zjarr në kamping, mos u largoni pa u siguruar që është fikur tërësisht! Pastrimi i kullotave me anë të zjarrit bëhet vetëm me autorizim të ndërmarrjes pyjore të rrethit ku ndodhet kullota. Ju lutemi qytetarëve raportoni menjëherë vatrat e zjarrit pranë shërbimeve zjarrfikëse, në mënyrë që ato të izolohen sa më parë, për të mos rrezikuar të çojnë në dëme të pallogaritshme. Ju kujtojmë se zjarret e qëllimshme ose nga pakujdesia dënohen sipas ligjit", u shpreh Bici.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH