Arte

PIKTURË HISTORIKE: "Kuvendi i Lezhës" nën udhëheqjen e Skënderbeut - Nga piktori Zef Shoshi

Shkruar nga Liberale

PIKTURË HISTORIKE: "Kuvendi i Lezhës" nën

Më 2 Mars 1444 me ftesë të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, në Kishën e Shën-Kollit në Lezhë u mbajt Kuvendi i Princërve Arbërorë. Ky kuvend është i njohur si "Kuvendi i Lezhës". Kjo pikturë është realizuar nga artisti i mirënjohur, Zef Shoshi në vitin 1978.

Në kuvendin historik të Lezhës morën pjesë shumë princa, Gjergj Araniti, Andrea Topia me djemtë, Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Teodor Muzaka me disa familjarë, Lek Zaharia, Pjetër Spani me djemtë dhe Lekë Dushmani, Stefan Cërnojeviç etj.

Të gjithë këta princa shqiptarë lidhën besën për të patur një bashkim kombëtar ushtarak dhe ekonomik. Kjo lidhje mbajti Arbërinë të pamposhtur për 25 vite kundër ushtrive Osmane dhe atyre Veneciane.

Besëlidhja e Lezhës ishte aleancë politiko – ushtarake e princërve arbëror. Bashkimi nën udhëheqjen e Skënderbeut bëri që shqiptarët jo vetëm të fitonin lirinë, por për çerek shekulli të mposhtnin ushtrinë më të fuqishme të kohës në botë. Ata e shijuan lirinë deri sa vdiq heroi ynë kombëtar për t'u rikthyer sërish nën pushtimin osman, pas përçarjeve, edhe për 5 shekuj të tjerë.

Piktori i cili ka realizuar veprën, Zef Shoshi, lindi në Tiranë me 19 shkurt 1939. Ka mbaruar me rezultate shumë të mira Liceun Artistik të Tiranës dhe më pas ka vazhduar studimet për katër vite radhazi në Leningrad (St. Peterburg) në Rusi. Është diplomuar në Institutin e Arteve të Tiranës në vitin 1962.

Ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha manifestimet artistike të vendit dhe ka fituar shumë çmime në pikturë. Në vitin 1979 ka marrë Çmimin e Dytë të Republikës, ndërsa në vitin 1983 ka marrë titullin "Artist i merituar".

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH