Aktualitet

Kush është 22-vjeçari që dyshohet se përgjoi Fredi Belerin

Shkruar nga Liberale
Kush është 22-vjeçari që dyshohet se përgjoi Fredi

Ndërsa Fredi Beleri ndodhet ende në burg, detaje të reja mësohen për personin që dyshohet se qëndron pas përgjimit. Sipas A2 CNN, personi i cili ka bërë audio-përgjimin kundrejt kandidatit për bashkinë Himarë, i cili u shpall fitues në zgjedhjet e 14 majit, sipas edhe burimeve nga prokuroria, dyshohet të jetë Arsen Rama.

Pas bërjes publike të këtij rasti në media i vëllai i tij, Abdul Rama, tregon në një intervistë për mediat se rasti dhe mënyra se si është trajtuar ka patur pasoja të mëdha tek ai vetë dhe familja e tij.

Sipas Abdul Ramës nuk dihet ende saktësisht nëse audio-përgjimin e ka bërë i vëllai i tij, pasi pas arrestimit të kandidatit Beleri nuk ka mundur të flasë më të, por ata si familje kërkojnë të distancohet nga kjo ngjarje.

“Çdo gjë e kemi marrë vesh në media. Nuk e dimë rolin e të dyshuarit në dosjen e përgjimit. Nuk kam folur me vëllanë përveç ditës kur u arrestua Beleri. Erdhi policia në 2 të natës dhe na mori në pyetje në komisariat. Policia ka marrë vetëm vëllain tim, babanë dhe familjarë që jetojnë në Palasë. Është një situatë e vështirë. Ne nuk kemi përgjegjësi për veprimet që ai ka kryer. Ai është 22 vjeç dhe nuk i dimë rrethanat, situata. Nuk kemi pasur kontakt me asnjë person. Na bie dhe ne një pjesë përgjegjësie. Nuk mbajmë anë”, u shpreh Abdul Rama.

Abdul Rama pohon se kandidatin Beleri e kanë mik familjeje teksa ky i fundit i ka ndihmuar shumë herë.

“Me Fredi Belerin kemi pasur raport miqësor. Për ne është një mik i mirë. Nuk kemi pasur probleme. Personi i dyshuar në këtë dosje ka pasur marrëdhënie se vetëm i çonte peshk në restorant dhe bashkë kanë bërë muhabet vetëm për peshk”, tha ai.

Abdul Rama pohon se asnjëherë ai vetë, babai, familjarë të tij të shoqëruar edhe në polici, nuk kanë patur kontakt me Fredi Belerin për të blerë prej tij vota, madje sipas tyre kjo gjë nuk është biseduar asnjëherë.

“Nuk na është ofruar asnjëherë lekë. Kemi pasur kontakte me Fredin. Sa herë kemi biseduar nuk është diskutuar për lekë, vota apo lista”, tha Abdul Rama.

Më gusht 2020 familja Rama u bënë fatkeqësisht pjesë e një tragjedie. Robert Rama, së bashku me bashkëshorten Mirelën, dhe dy djemtë e tij Arsenin dhe Abdulin dolën në det. Varka e peshkimit u mbyt teksa si pasojë e përmbysjes së saj mbeti pa jetë Mirela Rama.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH