Aktualitet

Ivi Kaso prezanton rezolutën e Kuvendit Kombëtar të PD-së

Shkruar nga Liberale
Ivi Kaso prezanton rezolutën e Kuvendit Kombëtar të PD-së

Përfaqësuesi ligjor i Komisionit të Rithemelimit, Ivi Kaso deklaroi nga Kuvendi Kombëtar i PD-së se, të gjithë kandidatët në poste publike do të zgjidhen me votë.

REZOLUTE E KUVENDIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE

Pasi ka reflektuar për veprimtarinë dhe vendim-marrjen politike gjatë dy mandateve në

opozitë, Partia Demokratike është e vetëdijshme dhe e vendosur t’u japë fund praktikave

jodemokratike dhe qasjeve të dështuara politike.

Partia Demokratike:

— Dënon dhe distancohet nga praktika e bojkotit të zgjedhjeve. Partia Demokratike solli

pluralizmin dhe liritë politike në Shqipëri dhe ajo nuk do të jetë asnjëherë direkt apo

indirekt pjesë e përpjekjeve për të dëmtuar pluralizmin dhe kufizuar lirinë e zgjedhjes

politike të qytetarëve.

— Distancohet nga praktika e ‘djegies’ së mandateve parlamentare. Parlamentarizmi

është vlerë thelbësore e çdo shoqërie të lirë dhe demokratike dhe Partia Demokratike

është e vendosur të luftojë për forcimin e parlamentarizmit. Partia Demokratike do të jetë

kudo ku luftohet për interesat e qytetarëve dhe një nga vendet kryesore të mbrojtjes së

këtyre interesave është Kuvendi i Shqipërisë.

— Dënon dhe distancohet nga metodat jodemokratike në drejtimin e partisë, duke i dhënë

fund Kryetarokracisë, vendim-marrjes arbitrare individuale, drejtimit të partisë me

struktura ekstrapartiake dhe pushtetit të familjarëve, miqve apo këshilluesve privatë në

vendim-marrjen dhe veprimtarinë e partisë.

— Dënon dhe distancohet nga praktikat informale dhe jo transparente të mbledhjes dhe

menaxhimit jashtëpartiak të fondeve për partinë. Ajo dënon dhe distancohet nga çdo

përfshirje në skema financimi dhe qarkullimi parash përmes kompanive off-shore dhe

kanaleve jo të ligjshme e jo transparente financiare. Ajo angazhohet në menaxhimin

profesional dhe transparencën e plotë të të gjitha financave partiake.

— Distancohet nga praktikat e lobimit me pagesë dhe dënon përdorimin e lobimit për të

ndërhyrë në proceset vendim-marrëse dhe të brendshme të vendeve të tjera.

Partia Demokratike:

— Rikonfirmon aspiratën për të cilën PD u themelua: integrimin europian të vendit dhe

mbështetjen për institucionet euro-atlantike dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Rikonfirmon përqafimin dhe respektimin e të gjitha vlerave të Partive Konservatore dhe

Partisë Popullore Europiane—familjeve europiane dhe botërore politike.

— Rikonfirmon parimin e konkurrencës dhe garës së brendshme si parimin themelor të

organizimit partiak. Të gjithë kandidatët për poste publike (deputetë dhe kryebashkiakë)

dhe të gjithë drejtuesit kryesorë të partisë në të gjitha nivelet (kryetarët nga qendra në

bazë) do të përzgjidhen përmes kësaj metode, pra modelit një anëtar një votë! Vendime

më të rëndësishme të politikave partiake do t’i nënshtrohen referendumit të anëtarësisë.

— Rikonfirmon vendosmërinë për të garantuar ripërtëritjen e vazhdueshme të elitave

drejtuese partiake, për të garantuar aftësinë dhe cilësinë e drejtuesve të saj. Largimi i

kryetarit dhe ekipit të tij nga drejtimi i partisë në rastin e humbjes së zgjedhjeve të

përgjithshme mbetet parim themelor dhe i panegociueshëm.

— Rikonfirmon parimin e hapjes së partisë, duke përcaktuar që çdo katër vjet të rinovohet

të paktën një e treta e të gjithë drejtuesve qëndrorë statutorë të partisë. Angazhohet në

mënyrë të veçantë për hapjen ndaj rinisë dhe grave: brenda vitit 2025, 40 përqind e të

gijthë drejtuesve qëndrorë statutorë të partisë të jenë gra dhe 30 përqind nën moshën 40

vjeç.

— Angazhohet në një dialog të përhershëm me qytetarët dhe grupet shoqërore. Ajo do

të themelojë dhe koordinojë foltore të vazhdueshme me publikun për çështjet më të

rëndësishme politike, ekonomike dhe shoqërore në vend.

— Rikonfirmon përpjekjet për forcimin e demokracisë dhe lirive përmes pjesëmarrjes

aktive në zgjedhje dhe në të gjitha proceset institucionale politike në vend. Rikonfirmon

angazhimin e saj në të gjitha përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të

ndershme si e vetmja mënyrë për marrjen dhe ushtrimin e pushtetit.

— Angazhohet në modernizimin e administrimit të brendshëm të partisë për të krijuar një

administratë profesionale, efikase dhe të paanshme partiake që garanton mbarëvajtjen e

veprimtarisë politike dhe procese të paanshme të brendshme zgjedhore. Angazhohet në

dixhitalizimin dhe përfshirjen e teknologjisë në çdo aspekt të menaxhimit të anëtarësisë

dhe administrimit të partisë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH