Edmond Halili, aktori i njohur shkodran i humorit është shprehur i prekur ditën e sotme në homazhet e vdekjes së aktorit Zef Deda në teatrin “Migjeni”. Halili i përlotur përpara e kamerave lavdëroi mikun e tij të ngushtë si një brilant dhe i pazëvendësueshëm.
Nga ana tjetër ai rrëfeu bisedën me bashkëshorten e Dedës, pas vdekjes e cila i kishte thënë se i ndjeri e kishte përmendur pak para vdekjes duke thënë “Mondi nuk erdhi të më takonte sot”. Halili i prekur vijon duke thënë se “më mirë mos të ma kishte thënë, do e kem peng”.
“Ndihem jashtëzakonisht keq, e kemi dashur shumë njëri-tjetrin. Ishte një aktor i mrekullueshëm, brilant, i pazëvendësueshëm. Nga Durrësi erdha në Shkodër ta takoja. Shkova tek shtëpia e Zefit, takova një djalë që po dilte nga banesa me çantë. E pyeta ku ishe, më tha isha tek shtëpia e Zefit dhe më tha: “Zefi na la, dha shpirt, Erdha nga Durrësit për ta takuar (qan).
Takova gruan e tij sot në mëngjes dhe më tha se në mëngjes se Zefi ishte shprehur, “si nuk erdhi Mondi të më takojë” Më mirë të mos ma thoshte, do më mbesë peng gjithë jetën, më ka përmendur në momentet e fundit të tij. Zefi është i paarritshëm, nuk harrohet më. Kam thënë që nuk zëvendësohet, nuk bë nëna si Zef Deda.”-tha Halili.