Aktualitet

Detaje të reja për kafkën e gjetur në Berat, punonjësi i varrezave tregon se çfarë kishte brenda qeses plastike

Shkruar nga Liberale
Detaje të reja për kafkën e gjetur në Berat, punonjësi

Detaje të reja janë zbuluar mbi kafkën që u gjet ditën e premte pranë varrezave në Burdullias, Berat. Ishte punonjësi i varrezave Tomorr Nure, ai që e gjeti qesen plastike dhe e hapi.

Siç ka treguar ai për policinë, në qese nuk ka qenë vetëm kafka, por edhe pjesë të tjera të eshtrave. Nure ka deklaruar se në qese ndodheshin edhe disa pjesë brinjësh dhe gjymtyrë dhe se në eshtrat e këmbëve ishin veshur çorape.

Punonjësi Tomorr Nure ka pohuar se ka qenë ora rreth 11:00 – 11:15 minuta kur ai duke pastruar ka gjetur një qese plastike të mbuluar me gjethe. Pasi e ka hapur, Nure deklaron se ka parë kafkën dhe pjesë eshtrash trupore dhe është tmerruar.

Ai konfirmon se menjëherë ka njoftuar përgjegjësin dhe policinë, që erdhën dhe i morën eshtrat. Nure, duke shpjeguar edhe mënyrën e zhvarrosjes së eshtrave, konfirmon se eshtrat nuk i përkasin varrezave të Burdulliasit dhe se nuk janë zhvarrosur nga asnjë varr i këtyre varrezave.

Duke treguar edhe vendin ku i gjet qesja plastike me kafkën dhe eshtrat brenda saj pohon se ajo është sjellë dhe është hedhur nga jashtë nga ndonjë person, që pasi e ka hedhur e ka mbuluar me gjethe për të mos u gjetur shpejt.

Eshtrat janë transportuar pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, kur nëpërmjet metodave shkencore që do të kryhen dhe ADN-së do të përcaktohet identiteti i saj.

Kafka i përket një femre dhe ishte edhe e ekspozuar ndaj flakëve por nuk dihet fati i eshtrave të tjera të saj.

Policia është duke punuar nëpërmjet kamerave të sigurisë të shtëpive e bizneseve përreth varrezave dhe në dalje të rrugës nacionale, për të zbuluar identitetin e shtetasit që e ka hedhur këtë qese me kafkën brenda pranë varrezave.

Po kështu edhe brenda varrezave duket se ka kamera të instaluara por nuk konfirmohet nëse këto kamera punojnë apo edhe nëse punojnë a e kanë rrezen e mjaftueshme për të parë sipërfaqen ku është hedhur qesja.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH