Një zjarr i madh ka përfshirë një depo në qytetin e Lipjanit pasditen e sotme, duke shkaktuar shqetësim tek banorët dhe mobilizim të shpejtë të zjarrfikësve.
Lajmin e ka konfirmuar për mediat komandanti i Njësisë së Zjarrfikësve në Lipjan, Sadri Shamolli. Ai ka bërë të ditur se ekipet janë në terren dhe po punojnë me intensitet për të shuar flakët.
“Jemi në terren dhe po angazhohemi për shuarjen e zjarrit. Po ashtu, jemi duke u përpjekur që të mos lejojmë përhapjen e tij në objektet përreth,” ka thënë Shamolli.
Ende nuk dihen shkaqet që çuan në shpërthimin e zjarrit, dhe as përmasat e dëmeve materiale. Deri më tani, nuk është raportuar për persona të lënduar.