Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dhënë një intervistë të gjatë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ku ka folur për jetën dhe përvojat e tij gjatë qëndrimit në burgun e Hagës.
Ai e ka përshkruar ndjenjën e thellë të privimit, por ka theksuar se pavarësisht vuajtjeve personale, populli i Kosovës mbetet i lirë përgjithmonë.
“Jam i vetëdijshëm për situatën time, por shpirtin ma merr vetëm ai që ma ka dhënë. Koha kalon pa kthim, dhe dita e sotme nuk ndryshon shumë nga e djeshmja apo e nesërmja. Çfarë më mungon më së shumti është liria,” është shprehurThaçi.
Ndër të tjera Thaçi ka folur edhe për procesin e krijimit të Gjykatës Speciale, duke theksuar se ky nuk ishte një vendim i marrë nga individë me vullnet të lirë, por një proces i jashtëm dhe i pashmangshëm. Thaçi thekson se nuk ndihet as i tradhtuar e as i braktisur, por i abuzuar në këtë proces.
Në lidhje me marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-presidenti deklaroi se raporti i tij ka qenë reciprok dhe në shërbim të interesave të Kosovës, duke shtuar se kërkesat e SHBA-ve kanë qenë gjithmonë në dobi të vendit.
Gjithashtu Thaçi ka vlerësuar rolin e Perëndimit dhe SHBA-ve në zhvillimin dhe pavarësinë e Kosovës, duke pohuar se pa mbështetjen e fuqishme amerikane, Kosova do të vazhdonte të ishte provincë e Serbisë.