Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritur as për të 50-ën herë ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pavarësisht zërave se në fundjavë do të mund të arrihej një marrëveshje për zhbllokim të situatës.
Të pranishëm në seancë kanë qenë 104 deputetë.
Bashkëkryetari i partisë Guxo, Faton Peci, ka thënë se partia e tij, në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje dhe Alternativën, kanë bërë shumë përpjekje për konstituim të Kuvendit, dhe u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve për të reflektuar mbi situatën e krijuar.
“Përpjekjet vazhdojnë. Kryeministri në detyrë ka pasur ofertë konkrete për disa parti politike. Aktualisht ka dhënë ofertë për Nismën Socialdemokrate, ndërsa në një fazë më të hershme ka pasur ofertë për të diskutuar për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës”, ka thënë Peci para gazetarëve duke përmendur se edhe me Kushtetutë, kryetari i Kuvendit i takon grupit më të madh, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje.
Pas përfundimit të seancës, kryeministri në detyrë i Albin Kurti ka paralajmëruar mbajtjen e një konference për media në orën 15:00.
Palët vazhdojnë të mos gjejnë një kompromis ndonëse ec afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për konstitutim të Kuvendit.
Gjykata e ka përcaktuar 26 korrikun si afat të fundit për konstituim, por ajo nuk ka ofruar më shumë hollësi se çfarë ndodh tutje nëse partitë nuk merren vesh deri atëherë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese këtë javë.
Pas seancës, lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk pret ndonjë zgjidhje as në ditët e mbetura.
“Ajo që pritet është që pas afatit 30-ditor, që përfundon më 25 (korrik), të kemi një interpretim të ri nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Por, një interpretim e kemi, ashtu siç kemi edhe një mosrespektim të tij. Që do të thotë se kemi një përmbysje të rendit kushtetues. Do të shohim se si do të procedohet tutje, por është e qartë se pas 30 ditëve, nëse ky Kuvend nuk konstituohet, i ka huqur afatet e përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese dhe duhet një interpretim i ri, sepse as Gjykata nuk e ka përcaktuar se çfarë do të ndodhë në të ardhmen”.