Familjarët e Agon Zejnullahut dhe qytetarë të Lipjanit protestuan të shtunën duke kërkuar drejtësi për 27-vjeçarin që ka ndërruar jetë gjatë arrestimit nga zyrtarët policorë.
Protestuesit marshuan nga objekti i komunës së Lipjanit deri te stacioni i policisë, duke mbajtur pankarta me mbishkrimin “Nuk kërkojmë hakmarrje, por drejtësi”.
Para stacionit të policisë, i cili ndodhet pranë vendit të ngjarjes, familjarët e Agonit u shprehën se nuk do të ndalen derisa drejtësia të vihet në vend.
“Kërkojmë hetim të plotë dhe transparent, kërkojmë përgjegjësi, kërkojmë veprim ligjor, jo heshtje institucionale, sepse drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar”, u shpreh vëllai i viktimës, Alban Zejnullahu.
Qytetarë të shumtë të Lipjanit i janë bashkuar protestës, duke shprehur pakënaqësinë ndaj sjelljes së policisë dhe duke kërkuar përmirësim të cilësisë së institucioneve në vend.
“Sot nuk kemi protestuar vetëm për Agonin, por për secilin prej nesh,” tha një nga protestuesit, duke theksuar nevojën për profesionalizëm në polici dhe në të gjitha nivelet institucionale.
Agon Zejnullahu dyshohet se ka humbur jetën gjatë arrestimit nga pesë zyrtarë policorë. Rreshteri Ibrahim Nela dhe policët Artidon Konxheli, Albian Rrahmani, Endrit Beqiri dhe Liridon Rrahmani ndodhen aktualisht në paraburgim, nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”.