Aktualitet

Borrell: Ose të çelen negociatat me Shqipërinë, ose BE të pranojë krizën e thellë

Shkruar nga Liberale
Borrell: Ose të çelen negociatat me Shqipërinë, ose BE

Përfaqësuesi i lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell Fontelles ka ftuar në Bruksel ministrat e jashtëm të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune, ku kërkoi që Shqipërisë dhe RMV t’i çelen negociatat në samitin e qershorit.

“Uroj që kjo të ndodhë gjatë Presidencës Franceze të BE-së”, theksoi Borrell, i cili e konsideroi të pakuptimtë vonesën e mëtejshme. Borrel tha i bindusr se kushtet janë plotësuar dhe vonesat nuk kanë asnjë kuptim.

Qëllimi kryesor ka qenë marrja në konsideratë e shqetësimeve që kanë shtetet e Ballkanit Perëndimor si rrjedhim i  kërcënimit që përbën për rajonin agresionit rus në Ukrainë, si dhe përçimi i një mesazhi të qartë për procesin e integrimit europian.

Gjatë konferencës përmbyllëse për shtyp, Borrell ka qenë mëse i qartë për mesazhin që 26 ministrat e jashtëm të Bashkimit Europian përçojnë lidhur me nevojën për hapjen e menjëhershme të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

“Duhet të fillojmë negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë menjëherë. Ky është gjithashtu dhe një angazhim im personal si përfaqësuesi i lartë i BE-së dhe zëvendëspresident i Komisionit Europian. Shpresoj, që kjo do të ndodhë gjatë presidencës franceze. Është më shumë se një shpresë dhe se një urim. Ne të gjithë e shohim, se kjo vonesë është e papranueshme. Nuk mund t’ju kërkojmë Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, që përmbushin të gjitha kriteret, të rrinë ulur, lidhur me njëri tjetrin, pa iu dhënë atyre një perspektivë të qartë. Nëse negociatat me të dyja vendet nuk hapen gjatë presidencës franceze, me duhet t’a pranoj se do të jemi në një krizë të thellë me vendet e Ballkanit Perëndimor” ka deklaruar Borrell.

Sipas tij, kjo situatë po dëmton të dyja palët dhe është një dhuratë për Rusinë.

“Kjo situatë jo vetëm që i dëmton të dy vendet, por po na dëmton dhe ne. Po na kushton shumë në termat e besueshmërisë dhe perspektivës politike. Kjo është dhuratë për Serbinë. Josep Borrell  ka nënvizuar gjithashtu, se Komisioni Europian ka prezantuar disa herë rekomandimin mbi bazë të cilin janë përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave me Kosovën dhe është koha që kjo të bëhet realitet.

Lidhur me dialogun Prishtinë-Beograd, Borrell ka rikujtuar nevojën për respektimin e plotë dhe zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mëparshme, gjë që sipas tij, nuk ka ndodhur. “Duhet një angazhim konstruktiv dhe progres të shpejtë në normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Të dyja palët janë dakord me këtë. Por kur ata ulen së bashku, është e vështirë të avancohet. Duhet të krijojmë besim. Është thelbësore për  ndërtimin e një klimë pozitive dhe konstruktive në dialog dhe për të evituar akte të njëanshme. Shpresoj që të mbajmë një raund në nivelin e lartë me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin e Kosovës para sezonit të verës” është shprehur Borrell.

Ndërkohë, sipas shefit të diplomacisë europiane, të gjitha përpjekjet për cenimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjës Hercegovinës nuk përputhen me perspektivën europiane dhe janë të papranueshme.

Ai ka përçuar gjithashtu një tjetër mesazh të ministrave të jashtëm të BE-së, se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të veprojnë më strategjikisht kur vjen fjala për reformat dhe çështje bilaterale.

Sakaq, Shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilat kanë harmonizuar plotësisht politikat e tyre ndaj Rusisë me politikat e Bashkimit Evropian (BE), do t’iu ofrohet angazhim i zgjeruar politik me bllokun evropian.

Po ashtu, këto shtete pritet të ftohen më shpesh në takime të nivelit të lartë të BE-së.

Një dokument pune i diskutuar nga ministrat e jashtëm të BE-së gjatë 16 majit, tha se përfaqësuesit e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut mund të ftohen të marrin pjesë në takimet e zgjedhura të Këshillit të BE-së dhe organeve përgatitore të politikës së jashtme.

Kryediplomatët evropianë në takimin e rregullt të mbajtur të hënën diskutuan për situatën në Ballkanin Perëndimor, në kohën kur agresioni i Rusisë kundër Ukrainës po vazhdon. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH