Ish-kryeministri Sali Berisha, tashmë në postin e kryetarit të “Rithemelimit” tha se Komisioni do të mblidhet sërish sot.
Berisha shtoi se në fillim do të zgjidhet kryesia e Rithemelimit dhe më pas anëtarët.
Statuti parashikon, tha Berisha që kryetari i propozon emrat kryesisë së partisë.
Berisha kur nisi garën për të marrë postin e kryetarit të Rithemelimit premtoi se do të ketë protesta, por deri tani nuk po zhvillohet asnjë protestë.
“Është procesi që po kalon PD, proces i domosdoshëm dhe jetik. Është kohë e humbur, për protesta. Mjaftojnë vrasjet e fundit nga policët e droguar”, tha Berisha.
Sakaq, lidhur me situatën në PD duke qenë se në mbështetje të tij janë më pak se gjysma e grupit parlamentar, ashtu siç veproi me Bashën, Berisha nuk ka lënë pa akuzuar edhe Alibeajn, duke e konsideruar atë “vegël” të Ramës dhe sharlatan.
Lidhur me deklaratat e Gazmend Bardhit, Berisha tha se ai “po lufton për të shpëtuar shpirtin e tij”.
Berisha e akuzoi Gamend Bardhin dhe Taulant Ballën, si përgjegjës për vrasjen e ndodhur para zgjedhjeve të 25 prillit, në Elbasan. Ai shtoi se revolucioni i nisur prej tij, nuk do të ndalet. /Liberale.al/