Aktualitet

A është Amerika e Jugut zgjidhja për krizën globale të grurit?

Shkruar nga Liberale
A është Amerika e Jugut zgjidhja për krizën globale të

Një “skaner” për të parë se sa grurë prodhohet në Amerikën e Jugut dhe cili mund të jetë kontributi i saj për të zgjidhur krizën globale të grurit.

Ndërsa bota përballet me një krizë ushqimore në rritje të provokuar nga pushtimi rus i Ukrainës, shumë shtete e kanë parë Amerikën e Jugut, konkretisht prodhuesit kryesorë të grurit vende si Brazili dhe Argjentina, së bashku me Uruguain dhe Paraguajin, si një zgjidhje të mundshme.

Por ekspertët dhe analistët thonë se janë një sërë faktorësh si; klima, kostoja dhe nevojat e brendshme, të cilat e bëjnë propozimin që të mos jetë një zgjidhje e duhur dhe thuajse e pamundur.

Ju kujtojmë se Rusia dhe Ukraina prodhojnë 30 për qind të furnizimit me grurë në botë.

Ofensiva ushtarake e Moskës në Ukrainë dhe sanksionet pasuese ndaj Rusisë kanë ndërprerë furnizimet me plehra kimike, grurë dhe mallra të tjera nga të dy vendet, duke rritur çmimet për ushqimin dhe karburantin, veçanërisht në vendet në zhvillim. Një pezullim i eksporteve të Indisë e ka përkeqësuar më tej problemin.

Më poshtë po bëjmë një parashtrim të vendeve kryesore që prodhojnë grurë në Amerikën e Jugut dhe se si këto vende munden, ose jo, që të jenë në gjendje të ndihmojnë në zbutjen e krizës:

Brazili: Rendiment më i lartë, por nevoja të mëdha në shtëpi

I njohur ndryshe si gjiganti bujqësor, “Brazili do të rrisë mbulimin e të korrave të tij me grurë nga tre deri në 11 për qind këtë vit, ka deklaruar Embrapa Wheat, specialist në ministrinë braziliane të bujqësisë.

Çmimet rekord, kërkesa në rritje dhe "pritja e motit të favorshëm, forcojnë projeksionin e një rritjeje të sipërfaqes së mbjellë, nga 2.7 milionë hektarë në 2021 (6.7 milionë hektarë) në pak më shumë se tre milionë në 2022”, tha Embrapa Wheat.

Por vendi me 213 milionë banorë nuk është tashmë në gjendje të plotësojë kërkesën e brendshme -- e vlerësuar në 12.7 milionë tonë në vit dhe në rritje.

Kostot e brendshme logjistike dhe të transportit kanë shtyrë shumë fermerë, veçanërisht në jug, të favorizojnë eksportin, duke rritur kështu nevojën për import.

Brazili është në fakt importuesi i tetë më i madh në botë i grurit, shumica e të cilit (87 për qind) vjen nga Argjentina.

Argjentinë: Mungesa e rezervave ujore

Argjentina, shtëpia e 45 milionë njerëzve, është gjithashtu tradicionalisht një prodhues i madh gruri, por kushtet aktuale klimatike janë të pafavorshme, që do të thotë se nuk ka gjasa të ndihmojë në plotësimin e zbrazëtirës globale.

"Ne presim një rënie prej rreth tetë për qind në sipërfaqen e tokës së mbjellë me grurë," i tha AFP Tomas Rodriguez Zurro, një analist në bursën e drithërave Rosario.

Kjo arrin në një rënie nga 6.8 milionë në 6.3 milionë hektarë, kryesisht për shkak të një thatësire që prek vendin, shpjegoi Rodriguez Zurro.

“Në përgjithësi, ne mbjellim grurë për të mbjellë më pas sojë, por rezervat e ujit janë shumë të ulëta, kështu që prodhuesit nuk duan të rrezikojnë të mbjellin grurë në rast se redukton edhe më shumë rezervat e lagështisë për mbjelljet e mëvonshme të sojës, tha Rodriguez Zurro.

Për më tepër, fermerët thonë se do të përdorin më pak plehra për shkak të çmimeve në rritje, një tjetër faktor që kufizon prodhimin, tha analisti.

Rusia është eksportuesi më i madh në botë i plehrave me më shumë se 12 për qind të tregut global, por shitjet e saj janë paralizuar praktikisht nga sanksionet.

Paraguaj dhe Uruguai: Ndikim i vogël global

Si Paraguaj, një vend me 7.5 milionë banorë, ashtu edhe Uruguai (popullsia: 3.5 milionë) gëzojnë rendimente të mira në prodhimin e grurit, por ato kanë një ndikim shumë më të vogël global dhe asnjëri nuk pret të rrisë prodhimin.

"Prodhimi i grurit është i shtrenjtë, shumë i shtrenjtë," tha një burim në ministrinë e bujqësisë të Uruguait.

Fermerët atje presin një rendiment "të ngjashëm me vitin e kaluar, ose pak më i lartë", tha burimi, një total që duhet të kënaqë kërkesën e brendshme dhe të lejojë eksportet të qëndrojnë në rreth një milion ton në vit.

Në Paraguaj, prodhimi duhet të mbetet gjithashtu i qëndrueshëm, sipas Hector Cristaldo, president i sindikatës së fermerëve të Paraguajit, por ai shtoi: "Sasitë e grurit që ne prodhojmë nuk janë të rëndësishme në skenën botërore".

Paraguai konsumon 700,000 tonë dhe eksporton sërish po aq, pothuajse të gjithin ekskluzivisht në Brazil.

Në mesin e majit, kur India ndaloi eksportet, gruri arriti një çmim rekord prej 438.25 euro (456.68 dollarë) për ton në tregtinë evropiane. /Përshtati Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH