
Pesë efektivët e Rojës Bregdetare në Vlorë, të arrestuar një ditë më parë me akuzën e shpërdorimit të detyrës janë pritur me brohorima dhe mesazhe inkurajuese nga familjarët e tyre teksa dolën para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë.
“Jeni heronj, keni shpëtuar jetë njerëzish”, dëgjohet t’u drejtohet të arrestuarve një familjar i tyre.
“Çfarë shpërdorimi detyre kam bërë unë? Se Shpëtova jetë njerëzish? Këta janë heronj. Ky (kolegu) u hodh në det për të shpëtuar fëmijët…”, tha njëri prej të akuzuarve për kamerat.
Familjarët e të arrestuarve u përlotën, ndërsa nuk munguna lotët as nga të prangosurit. Familjarët shprehën të gjithë mbështetjen e tyre për ta dhe i quajtën heronj se kanë shpëtuar jetë njerëzish.
“Nuk ka bërë asgjë, ka shpëtuar 55 jetë njerëzish. Ishte në krye të detyrës, qeveria të merret me skafistët, me kriminelët, jo me njerëzit e ndershëm. Djali im ishte me forcat e NATO-s, bëri stërvitje. Jam krenare se ka mbrojtur jetën e njerëzve. Ku ishte policia kufitare? Çfarë do të bënin 5 veta me 55 veta? Mbrojtën fëmijët që qanin, ulërinin, nuk u morën me maskarallëqe”, tha nëna e një prej të arrestuarve, Sejfulla Bejaj, për mediat.
Të arrestuarit janë nën akuzë se lanë të arratiset drejtuesin e gomones, gjatë një operacioni të zhvilluar në janar për shpëtimin e klandestinëve.
Sipas dosje hetimore rezulton se efektivët e Rojes Bregdetare gjatë operacionit të shpëtimit, pasi kanë marrë në anije drejtuesin e gomones së bashku me klandestinët, kanë lejuar hedhjen e tij në det, përpara se të mbërrinte policia. Ky veprim është lejuar prej tyre kundrejt një shpërblimi të konsiderueshëm. Në atë operacion, u ndaluan 47 sirianë, 7 iranianë dhe 1 shtetas egjiptian.