Suplementi “Leteratura” i dedikohet letërsisë shqipe, ku nëpërmjet rubrikave të ndryshme vijnë shkrimtarë, rrëfime, kritika, dhe çdo e re rreth autorëve shqiptarë.
Kjo javë i dedikohet Enver Kushit, teksa kopertina hapet me: "Shkrimtari çam që skaliti Zonjën nga Parga".
"Zonja nga Parga, flet çamërisht në letrat shqipe", një shkrim nga Suela Mino.
"Shkrimtarin Enver Kushi e njoha përpara se të lexoja krijimtarinë e tij; me një buzëqeshje të shndritshme në fytyrë dhe zërin e ulët në bisedë, ai rrëfeu qetazi, si të tregontë një film surreal, histori befasuese, të gjitha pjesëza nga letërsia e tij. Duhej ta njihja, ta lexoja… Përmbledhja në prozë “Apokalips 6”, “Ëndrra të Ngrira”, apo romani “Koha Zero” ishin befasuese për nga mjeshtria e ndërthurjes së ireales në shtjellën e një rrëfimi I cili pështillet në të përditshmen që e hasim të gjithë. Në truallin e tij letrar buron një gem i gjallë imagjinate, që të përkund mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, por gjithmonë në dritë, ose në kërkim të dritës, përtej territ dhe ftohtësisë. Edhe imazhet më të përçudnshme nuk trembin; janë, sepse kanë një kumt për të dhënë, një kujtesë për të zgjuar, një histori që e mbart toka, për ata që duam të thërrasim kur na merr malli, kur kemi nevojë, kur kalamendemi në kujtime, apo kotësi… Proza shqipe e ka të pakët këtë lëndë letrare.", shkruan Mino.
Po ashtu do të lexoni një esse "Çamëria në krijimtarinë e shkrimtarit Enver Kushi" nga Prof.dr. Resmi Osmani.
Më tej do të lexoni një tregim nga Enver Kushi me titull "Apokalipsi i ditës së gjashtë".
"...Unë i quajturi Hamza R, i biri i Havasë dhe Ademit, ditën e gjashtë të javës, të muajit dhe motit në vazhdim, në një çast që m’u duk sikur nuk ishte as nate dhe as ditë, vura re një ndriçim që ra mbi Tiranë... Ndriçimi i beftë erdhi jo nga qielli, por nga thellësitë e tokës kryeqytetase... Dhe bashkë me ndriçimin e beftë, mijëra e mijëra flutura të bardha vërtiteshin hutueshëm mbi sheshin “Skënderbej”, godinat qeveritare, Bankën e Shtetit Shqiptar, Teatrin e Operas dhe Baletit, Muzeun Kombëtar ... E ndërsa ngrita kokën lart për të parë renë e bardhë të fluturave dhe ndriçimin e beftë që po delte nga toka, m’u duk sikur qielli mund të gremisej nga çasti në çast mbi Tiranë... Atëhere ai dhashë vrapit përmes sheshit “Skënderbej” ndjekur edhe nga të tjerë, që dukej sikur çanin me vështirësi masën e bardhë si të mpiksur dhe nxitonin për të shpëtuar nga qielli, që mund të binte copa-copa mbi kokat tona. Dhe do të isha rrëzuar e ndoshta do të kishin shkelur mbi trupin tim, po të kisha vazhduar të vrapoja me lidhëset e zgjidhura të këpucëve. Lidheset e gjata të këpucëve ndoshta ishin zgjidhur kur nisa të vrapoj ose ndoshta më parë, tek zbrisja shkallët e Pallatit të Kulturës... Jam me fat. Jam me fat që nuk u rrëzova në mes të sheshit “Skënderbej”, thashë me vete duke u përkulur pranë trotuarit, ose më saktë në strehën që shërben si stacion autobuzi për në Kamëz. E teksa po lidhja lidhësen e këpucës së majtë, dëgjova pranë një zë lutës:
-Zotëri! Më falni që ju pengoj...Vetëm pesë minuta zotëri... Mos u nxitoni zotëri ... Lidheni edhe këpucën tjetër.", shkruan Kushi në tregimin e tij.
Më pas do të lexoni një fragment me titull "Poeti që kyçi shirat". (Frederik Rreshpja)
"Nuk ndjej asgjë, tha Frederiku. Më ka ikur nuhatja për gjërat e kësaj bote. Nuk ndjej asnjë aromë… As aromat e luleve nuk i ndjej më… As aromën e grurit dhe të bukës. As aromat e jetës. Ndjej vetëm aromat e dheut e të shirave…
Këtë shënim e kam hedhur në një nga blloqet e mi, menjëherë pasi jam kthyer në zyrën e katit të tretë të Muzeut Historik Kombëtar. Duket nga shkrimi i keq, që fjalët e mësipërme i kam shkruar me nxitim, ndoshta për të riprodhuar me saktësi ato që më tha Frederik Rreshpja. Shënimi nuk ka datë të saktë. Sipër kam shkruar këto fjalë: “Mesditë. Dhjetor 2005”, ndërsa poshtë “Fjalët e Frederik Rreshpes, teksa thithte cigaren ulur në një nga stolat e korridorit të katit të dytë, të pavionit të kardiologjisë, spitali Nr.1 ku kisha shkuar me Moikom Zeqon”.", shkruan Reshpja.
Dhe për ta mbyllur me “Formula e Presidentit: K---BE+NATO+SHBA”.
20 vjet pas çlirimit të Kosovës, publicisti Qemal Sakajeva sjell për lexuesit librin e tij më të fundit, “Formula e Presidentit: K--- BE+NATO+SHBA”, një trajektore në 42 vjet: 1977-2019 - Që nga koha para luftës deri tek projekti i ‘Minishengenit’, një vijë e gjatë dhe e pandarë e historisë dhe politikës së Kosovës.
Këto dhe shumë të tjera do t'i lexoni në suplementin "Leteratura" sot. /Gazeta Liberale