
Presidenti Ilir Meta tha se deri në momentin që Gjykata Kushtetuese nuk ka marrë një vendim në lidhje me çështjen e Teatrit Kombëtar nuk duhet të bëhet asnjë veprim për shembjen e tij.
Ndërkohë i pyetur nëse do të jetë apo jo me artistët dhe qytetarët kundër vendimit të Këshillit Bashkiak nesër pas marrjes së vendimit tha se do të jetë gjithmonë në krye të detyrës dhe në mbrojtje të Kushtetutës, por nuk tha qartë nëse do të jetë apo jo në shesh.
Pyetje: A do jeni me qytetarët dhe artistët në shesh për të mbrojtur teatrin?
Presidenti Meta: Nuk është çështje procedurash, por e nivelit kushtetues dhe askush nuk fshihet as procedurave për shkelje të Kushtetutës së Republikës, që cenojnë interesin e përbashkët të qytetarëve dhe shqiptarëve në botë që ka të bëjë me interesin kombëtar dhe kulturor.
Sa i takon se ku do jetë presidenti, ai është gjithmonë në krye të detyrës në mbrojtje të kushtetutës interesit kombëtar dhe publik dhe do të jetë gjithmonë në krye të detyrës, ndonjë karagjozi, duhet ta ketë të qartë se presidenti sillet me përgjegjësi maksimale, mban shënim çdo gjë. I ka bërë paralajmërimet e përsëritura do të bëjë detyrën e tij pa rënë në provokime banale dhe i ka ftuar të gjithë të menaxhojnë me përgjegjësi këtë situatë tepër shqetësues të shëndetit publik dhe ekonomik, të përqendrohen te 15 kushtet e BE. Nuk kemi nevojë të shtojmë kushte të tjerë dhe sjellja ndaj kësaj çështje nuk është e dimensioneve lokale, por monitorohet me vëmendje maksimale dhe do të kishte ndikim rëndues dhe përkeqësues për pozitën tonë që nuk është aspak për t’u krenuar në raport me perspektivën e çeljes së negociatave.
Secili zgjedh rrugën, përgjegjësit dhe pasojat e tij, këto nuk janë çështje që do të harrohen apo të amnistohen, se janë të interesit kombëtar, shpresoj të gjithë të reflektojnë sipas kompetencave të tij. Të tregojë durim se shqiptarët kanë probleme alarmante që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurinë, ekonominë me problemet e jashtëzakonshme të papunësisë, që janë shtuar dhe kjo kërkon përgjegjshmëri dhe jo papërgjegjshmëri ekstreme që vëmë re sida akte që nuk I shërbejnë kurrsesi interesit të përgjithshëm. /Gazeta Liberale