Ngarkesa e lëndëve, provimet finale në një kohë të kufizuar, presioni për të marrë nota të larta, vështirësia e përshtatjes më grupin shoqëror, janë vetëm disa nga shkaqet e ‘përjetshme’ të stresit në jetën e një nxënësi apo studenti. Faktori i moshës, i mbështetjes familjare, i temperamentit apo karakterit të gjithsecilit, vështirësojnë apo lehtësojnë stresin e përjetuar. E ndërsa bëhet e vështirë për ta shmangur, lind nevoja që të mësojmë se si ta menaxhojmë, për të garantuar një jetë të shëndetshme dhe cilësore për veten tonë.
Për këtë arsye dy klubet studentore në Universitetin Europian të Tiranës, Klubi i Psikologjisë “Frojdi” dhe Klubi i Mjekësisë “Hipokrati” u bënë iniciatorë të një workshop-i, në qendër të të cilit ishte menaxhimi efektiv i stresit. Ndryshe nga aktivitetet e tjera mes studentëve, kësaj radhe ishte e veçantë prania dhe kontributi i gjimnazistëve të shkollave të mesme në Tiranë, e konkretisht nga gjimnazi “Ismail Qemali”, gjimnazi “Sandër Prosi”, gjimnazi “Abdullah Keta” dhe gjimnazi “Eqrem Çabej” gjimnazi “Aleks Buda”.
Aktiviteti u përshëndet nga dekania e Fakultetit të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale, prof. asoc. dr. Belina Budini, e cila njohu shkurtimisht gjimnazistët me departamentet dhe programet e këtij fakulteti, si dhe foli për aktivitetet ekstrakurrikulare që zhvillohen në UET, kryesisht nga klubet studentore, por jo vetëm.
“Shpesh e quajmë këtë fakultet si fakultetin e pasionit dhe mendoj se nuk ka gjë më të mirë se sa ta lidhësh atë që do të bësh në mënyrë të frytshme me atë që ke aftësi dhe mundësi ta bësh”, theksoi Budini.
Përgjegjësja e Departamentit të Psikologjisë, Edukimit dhe Sporteve prof. asoc. dr. Erika Melonashi tha se ky aktivitet është vetëm një shembull i bashkëpunimit të UET me komunitetet, me shkollat e mesme e gjimnazistët. Më tej, ajo e cilësoi mjaft të rëndësishme diskutimin për stresin “duke parë se çfarë po ndodh sot me adoleshencën në vendin tonë dhe me gjithë problemat e keqmenaxhimit.”
Workshop-i u organizua në dy pjesë: në pjesën e parë nxënësja ekselente nga gjimnazi “Turgut Ozal”, Era Rakipllari, prezantoi studimin e saj me titull “Strategjitë e neuroshkencës për menaxhimin e stresit”, ndërsa në pjesën e dytë ishte studenti i masterit në UET, Bruno Ferra, me një eksperiencë të gjerë si terapist, që tregoi disa praktika për menaxhimin e stresit.
E pasionuar pas neuroshkencës, Era Rakipllari solli një studim interesant, ku aspekti teorik zbriste në rrafshin praktik, për të zbuluar më qartë se çfarë ndodh me të rinjtë dhe gjimnazistët e sotëm, sa i njohin ata teknikat e neuroshkencës dhe si e menaxhojnë stresin. Pas përkufizimit dhe dy mënyrave të menaxhimit, me zgjidhje farmaceutike, pra me marrjen e anti-derpresantëve, dhe me zgjidhje jo farmaceutike, Era Rakipllari trajtoi metodat më efektive të stresit, nga terapia e njohjes, te ushtrimet fizike, ushtrimet sportive apo teknikat relaksuese.
Më tej, ajo u ndal te anketimi i kryer në gjimnazin ku studion, i fokusuar në aspekte të tilla si: njohja e strategjive të neurosheknecës; sfidat që hasin për të qenët ë fokusuar; çfarë strategjish përdorin ata për të përballuar stresin; sa ndikon ai në arritjet në shkollë; cilët janë shkaqet e stresit ndaj të cilave ekspozohen më shumë; përdorimi i modeleve të gjumit në uljen e stresit etj.
Duke folur për konkluzionet, Era Rakipllari theksoi se gjetje mjaft interesante ishte fakti që shumica e nxënësve ishin disi ose shumë të njohur me strategjitë e bazuara në neuroshkencë, (vetëm 38.7% nuk kishin dijeni), por pak i vinin ato në zbatim.
“Ndërsa shumë nxënës janë disi të njohur, ekziston një nevojë e qartë për ndërgjegjësim dhe edukim më të madh rreth këtyre metodave. Stresi ndikon ndjeshëm në performancën akademike për shumicën e studentëve, dhe strategjitë e personalizuara, shumëplanëshe për reduktimin e stresit duket se janë më efektive”, nënvizoi gjimnazistja.
Mbyllja e prezantimit u shoqërua me një seancë pyetjesh dhe diskutimi mbi teknikat më efektive për menaxhimin e stresit, rrëfyer kjo nga eksperienca e secilit, si dhe u shpërndanë certifikata pjesëmarrjeje për të gjithë gjimnazistët.