Analizë

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A do ta rikuperojë besimin e humbur PS te vota e diasporës?

Shkruar nga Liberale

EDITORIAL nga Ervis Iljazaj: A do ta rikuperojë besimin e humbur PS te vota

Ervis Iljazaj

Nga sondazhet Partia Socialiste del forcë e parë e padiskutueshme, por gjithsesi jo mazhorancë. Duket se PS ka humbur besimin e një përqindje të caktuar të shqiptarëve në raport me zgjedhjet e kaluara. Dhe ky është një proces normal pas 12 viteve në pushtet. Këtë gjë e di mirë, sidomos Edi Rma, i cili ka vendosur një bast të madh të vota e emigrantëve për të rikuperuar humbjen e besimit te vota e brendshme.

Edi Rama nuk shquhet si ata politikanë që ka në qendër të veprimeve të tij zbatimin e ligjit, respektimin e shtetit të së drejtës apo mbrojtjen e parimeve demokratike. Përkundrazi, ai sillet gjithmonë sipas interesit të tij politik, në fakt karakteristikë kjo e politikanëve shqiparë.
Në momentin kur u hartua kodi elektoral dhe u vendos që emigrantët shqiptarë të votonin, Partia Socialiste ishte në një pozicion shumë herë më të favorshëm në raport me Sali Berishën. Pra, fuqia e tij kontraktuale ishte shumë herë më e madhe se sa ajo e Berishës duke patur parasysh se ai ende kishte në tavolinë çështjen e logos së Partisë Demokratike, njohjen zyrtare të grupit parlamentar demokrat, apo dhe çështjen e procesit gjyqësor. Në këtë kuptim, në momentin e ndryshimeve të kodit, Rama dhe partia e tij mund të përcaktonin ose jo shumë herë më shumë kushte sesa Partia Demokratike.

Dhe kur vendosi që emigrantët shqiptarë të votonin, sigurisht që që i ka bërë mirë llogaritë nëse këtë gjë e ka patur në favor ose jo. Është vështirë të mendosh se Rama ka dhënë aprovimin për votën e diasporës sepse kështu kishte vendosur Gjykata Kushtetuese. Ka gjithmonë një mënyrë për pushtetin për ta shmangur këtë detyrim. Kështu që logjika thotë se ai mendon që vota e diasporës është në favor të tij, në të kundërt, as nuk ishte për ta realizuar atë, ashtu sikurse nuk e kanë bërë gjithë këto vite.

Nga ana tjetër Partia Demokratike për të rifituar pozitën e saj jurdike si opozita kryesore në vend është gjendur në kushte jo të favorshme për të menduar situata të tilla.

Por a është e vërtetë se vota e emigrantëve mund të jetë shpëtimtarja e tij? Ka disa argumenta që të mendosh se po, edhe pse vota e diapsorës është ende një e panjohur e madhe.

E para, është numri i deritanishëm i regjistrimit të votës së emigrantëve që është diku te 250 mijë vetë. Nga numri duket sikur nuk ka një valë të madhe njerëzish që vërtetë mund të sillnin ndryshimin në Shqipëri. Në këto nivele që është numri i votës së diasporës është fare e lehtë dhe e menaxhueshme nga pushteti i qeverisë. Nëse do të ishin 400 apo 500 mijë vota, atëherë mund të mendohej se ka një dëshirë të madhe për ndryshim dhe emingrantët mund ta sillnin atë në Shqipëri.

E dyta, pushteti, sidomos ky i Edi Ramës, ka shumë herë më tepër mjete për të ndjekur votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë. Opozita shqiptare e ka të vështirë për situatën ku gjendet, të menaxhojë dy fushata, një brenda Shqipërisë dhe një jashtë saj.

E treta, po të shikosh numrin e të regjistruarve në masë më të madhe ai është i emigrantëve që jetojnë në Greqi dhe Itali. Emigracioni shqiptar në këto vende nuk mund të konsiderohet emigracion si pasojë e keq-qeverisjes se kësaj mazhorance. Ai është një emigracion më i hershëm. Në këtë kuptim nuk do të thotë aspak se ata janë larguar për shkak të Ramës dhe janë të pakënaqur me të.

E katërta, emigrantët shqiptarë që jetojnë jashtë nuk jetojnë me përditshmërinë e Shqipërisë. Pra nuk përballen çdo ditë me problemet e shëndetësisë, arsimit apo çështje të jera që shqetësojnë jetën e nje personi. Ata me shumë mundësi e gjykojnë Shqipërinë nga pikëpamja estetike për një muaj apo dy muaj, kur vijnë si tursitë. Dhe nga kjo pikëpamje Shqipëria ndoshta ka bërë hapa përpara.

Edi Rama e di fare mirë se pas 12 viteve në pushtet, prej rritjes së korrupsionit apo çështjeve të tjera, mbështetja e brendshme e tij ka rënë. Kështu që me votën e diasporës ai ka kërkuar të kompensojë humbjen e konsensusit të brendshëm. Për të gjitha këto arsye, vota e emigrantëve shqiptarë mund të rezultojë një autogol i opozitës dhe shpëtimtare për pushtetin e Ramës. Megjithatë këto janë vetëm hipoteza dhe asgjë nuk dihet me siguri.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH