Analizë

ANALIZË nga Besian Zogaj: Mbi sondazhet zgjedhore

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga Besian Zogaj: Mbi sondazhet zgjedhore

Besian Zogaj

Publikimi i sondazheve në disa nga platformat televizive më të mëdha në vend është më së paku jo profesional dhe i anshëm!

Për sa më takon e kam ngritur këtë çështje në mbledhjet e AMA-s bashkë me kolegë të tjerë! Pavarësisht disa përmirësimeve shumë të vogla në raport me publikimin e kampionit apo disa sqarime të vakëta, gati amatore, në lidhje me metodologjinë dhe metodat, mediumet televizive “ruajnë” për vete elementët thelbësorë që plotësojnë atë që përfaqëson themelin e një sondimi të vërtetë në terren, e që është: PAANSHMËRIA!

Paanshmëria në marrjen e të dhënës!
Paanshmëria në përpunimin e të dhënës!
Paanshmëria në interpretimin e të dhënës!

Kjo e fundit është përgjegjësi private e platformave, por padit qasjen ndaj dy të parave, që janë publike! Nuk po dua të komentoj mbi interpretimin, pasi këtë reagim timin e bëj në dy cilësi!

E para, në peshën e përgjegjësisë zyrtare si anëtar i zgjedhur i AMA-s!

Platformat televizive kanë një përgjegjësi publike! Sondimet janë informacione mbi terrenin dhe manipulimi apo parcialiteti i tyre në kushtet e fushatës zgjedhore, përtej shkeljes etike dhe parimeve të deontologjisë profesionale, është në shkelje të Kodit Zgjedhor dhe parashikimeve të Ligjit organik dhe Kodit të Transmetimit të AMA-s!

Një ndër arsyet e formulës së drejtimit të AMA-s nga një organ kolegjial me të drejta të barabarta, të zgjedhur detyrimisht me konsesus nga palët në Kuvend në frymën e MSA dhe Acquis-it është pikërisht për të mos lejuar shkarjen e transmetuesve me përgjegjësi publike në anësi, propagandë, manipulime të opinionit publik! Unë për sa më takon, kësaj përgjegjësie nuk i shmangem!

Së dyti, për shkak të formimit, punës dhe prej 4 vitesh si pedagog pranë Departamentit të Shkencave Sociale të Aplikuara në Universitetit Europian të Tiranës, jam angazhuar jo pak me sondime në terren, përfshirë ato zgjedhore dhe gjithmonë me sukses!

Në shumicën e vendeve të BE-së dhe të botës perëndimore, fokusi i mediave, institucioneve apo dhe trupave të ndërmjetme të shoqërisë, është më shumë tek transparenca metodologjike sesa ndalimi i plotë i publikimit. Disa vende si Italia dhe Franca kanë ndalim strikt (Italia i ndalon 15 ditë para) ndërsa të tjera si SHBA dhe Kanada i lënë mediat të vendosin vetë. Ka gjithsesi kërkesa të forta për transparencë metodologjike!

Kushdo që ka realizuar qoftë një herë në jetë një sondim, me bazat e dijes, mund të dallojë çarje të mëdha logjike dhe metodologjike në sondazhet e publikuara në mediat shqiptare!

Po mundohem t’i shpjegoj sa më shkurt:

Elementët e parë që kërcasin kur dëgjon publikimin e sondazheve janë forma e marrjes së të dhënës dhe kampionimi! Kur themi metoda e mbledhjes e të dhënës “ballë për ballë”, do të thotë se anketuesi takohet fizikisht me të anketuarin (në shtëpi, rrugë, apo gjetkë) dhe kjo është forma më e arrirë për marrjen e të dhënës!

Hulumtuesi jo vetëm që ka mundësi të marrë informacionin e synuar por mund të zbërthejë nga afër mendimet, arsyet, qasjen emocionale, mimikat po të doni! Për këtë arsye intervistimi “ballë për ballë” përfshin tërësisht metoda të tjera të përpunimit të të dhënave dhe definimit të “peshës statistikore”, të cilën do e shohim pak më poshtë!

Nga të dhënat e pakta dhe të paketuara që janë publikuar, besoj fort se kjo metodë NUK është përdorur!

Për më tepër, nuk e di për të tjerë, por personalisht më kanë telefonuar 2 herë këtë muaj fushate! Disa miq të mi po ashtu janë telefonuar! Jam i interesuar dhe me rezulton se kjo është praktikë e përhershme në të gjitha mediat që kanë pajtuar sondazhe!

Sondimet me telefon janë të ligjshme dhe të përdorura gjerësisht, por natyrisht kanë kufizime! Mediumet televizive për të rritur besueshmërinë me gjasë nuk kanë thënë të vërtetën! Metoda “ballë për ballë” me gjasë nuk është përdorur! Dhe, për të bërë një silogjizëm logjik, me gjasë mediat kanë
gënjyer opinionin publik!

Hallka më kritike e një sondimi është marrja  e të dhënës! Është momenti ku ne nxjerrim të vërtetën dhe e vërteta nxirret nga njerëzit, nga forma se si komunikojmë dhe na komunikojnë!

Ka shumë për të thënë këtu lidhur me strukturimin e pyetësorit, trajnimin e anketuesve, konfidencialitetin e kampionit, njohjen e kontekstit kulturor nga hulumtuesi apo metodologjisti etj! Gallup, për shembull, revolucionarizoi tregun e sondimeve nëpërmjet këtyre elementëve! Mediat nuk kanë publikuar asgjë këtu, duke u mjaftuar me “pyetësor i strukturuar apo gjysëm i strukturuar”! Por, le ta marrim të mirëqenë që të gjithë elementët që përmenda më lart janë brenda standardit!

Nuk ka kampionim perfekt por ka disa metoda dhe korniza që e ruajnë ngrehinën shkencore nga abuzimi dhe që e afrojnë atë sa më pranë realitetit, veçanërisht në kushtet e qasjes sasiore që përfshinë sondazhi zgjedhor!

Një nga elementët themelorë të këtyre sondazheve (dhe jo vetëm) është peshimi statistikor.
Për shembull, Shqipëria ka 12 prefektura apo qarqe dhe shpërndarja demografike është e gjendshme përmes INSTAT. Nëse intervistojmë 100 persona në Kukës dhe po aq në Fier, pa marrë parasysh peshën e popullsisë, kemi një deformim. E njëjta gjë ndodh nëse një qasje të tillë e kemi me shpërndarjen e kampionit sipas grupmoshave. Në të dyja rastet gabojmë!

Nëse një orientim të peshimit statistikor nuk e kemi bërë në fazë të hershme të sondazhit, duhet ta bëjmë në momentin e përpunimit të të dhënës! Nëse kjo nuk ndodh as në këtë moment atëherë këtu nuk jemi në gabim, por jemi në faj!
Sondazhi është i cunguar, se për rigorozitet shkencor as që bëhet fjalë!

Një element tjetër besoj u ka rënë të gjithve në sy është frekuenca e lartë e sondazheve, përqindja e ulët e të pavendosurve, si dhe mospublikimi i numrave që refuzojnë telefonatën!

Dua të theksoj se edhe të pavendosurit, edhe ata që refuzojnë të përgjigjen duhen të jenë pjesë e peshimit statistikor! Ky grupim ndikon të gjithë strukturën e sondazhit, që nga analiza e frekuencave, regresioni e me radhë!

Për të gjeneruar të dhëna për 1000 persona me telefon duhet të “krehësh” 3 deri 5 fishin e këtij kampioni, pra 3000 deri 5000 numra! Brenda 1000-shes së arritur kemi dhe të pavendosurit! Gjithashtu, marzhi i anëtarëve të popullatës që refuzojnë anketën në telefon varion sipas grupmoshave dhe ka hulumtime për këtë! Të gjitha këto elementë duhet të jenë pjesë e peshimit statistikor për të qenë sa më pranë të vërtetës së terrenit! Në asnjë rast mediumet audiovizive nuk japin informacion për këto!

Pyetje: ky grupimi kaq i madh që nuk përgjigjet, nuk do të shkojë të votojë? Përgjigjen mund ta nxirrni vetë!

Ka edhe shumë për të thënë mbi cënimet e metodologjisë shkencore të sondazhit, por le të vijmë tek praktika në kontekstin shqiptar për të fuqizuar argumentin!

Jam i bindur se secili prej nesh refuzon në shumicën e rasteve telefonata të tilla! Pjesa më e madhe rezervohet të deklarojë anësinë politike në telefon, ku konfidencialiteti është më i ekspozuar!
Këtë bindje e mbështes edhe në sondimet e mia!

Sondazhet e fundit për zgjedhjet e 11 Majit flasin për vetëm 9–15% të pavendosur. Në vitin 2013, IPR Marketing, një nga të paktët që goditi saktë rezultatin, raportonte 20% të pavendosur në nivel kombëtar! E njëjta përqindje doli dhe në një sondazh për Tiranën ku isha i përfshirë edhe vetë!

Në të gjithë botën ky numër është rritur për gjatë viteve të fundit për shkak të rritjes së mosbesimit ndaj sondazheve dhe ndjeshmërisë së të dhënave personale.

Në Shqipëri nga viti 2013 e deri tani, përqindja e të pavendosurve dhe veçanërisht atyre që refuzojnë të përgjigjen është rritur nga zgjedhja në zgjedhje!

Sa për të dhënë një shifër të një sondazhi të vërtetë për këto zgjedhje! Në Qarkun Tiranë, për të nxjerrë një kampion prej 1000 anëtarësh, u deshën 3100 telefonata! Ndërsa përqindja e anëtarëve të pavendosur apo të paorientuar siç do thonin disa, është 39%! Sfidoj çdo profesionist të sondazheve nëse nuk përballet me nivele të përafërta të kësaj përqindje!

Si përfundim, sondazhet e publikuara gjatë këtij muaji nuk janë sondazhe zgjedhore në kuptimin metodologjik të fjalës. Ato mund të jenë gjithçka tjetër, por jo instrumente shkencore të besueshme siç duhet të jetë! Kjo çon në pikëpyetje të mëdha mbi porositësit, qëllimet e tyre si dhe imparcialitetin e mediave!

Pyetja e ligjshme në këtë moment mund të jetë, “po sikur këto parashikime të publikuara të rezultojnë të sakta”?

Partitë e mëdha politike janë bërë sondazhistët më të mirë në vend. Me databaza të shtrira dhe të përditësuara në mënyrë kapilare, ato kanë informacion të detajuar për prirjen politike të qytetarëve, emër për emër! Pas vitit 2013, me zhvillimin e teknologjisë, kjo praktikë është përsosur, rafinuar dhe industrializuar. Ngjan sikur elektorati dhe zgjedhjet në Shqipëri, janë gati të rrethuara!
Në këto kushte, sondazhet nuk janë më pasqyrë e ftohtë e realitetit por instrument ndikimi.

Rezultatet e publikuara, për arsyet që
përmendëm, nuk kanë autoritet! Me gjasë janë të pilotuara dhe padyshim ndikojnë opinionin publik.
Nga kush? E dyshoj, por nuk e di me siguri. Ajo që di me siguri është se do të vazhdoj të kërkoj transparencë për të gjitha sa më lart, me sa kam!

Për ta mbyllur, sondazhet këtej nga anët tona bëhen ndonjëherë për të rrejt veten, ndonjëherë për me rrejt të tjerët - dhe si rregull për të ndërtuar strategjinë e fushatës elektorale!

Mediat nuk kanë lidhje me asnjërën nga këto, veçanërisht në fushatë zgjedhore!

Të shohim!

Burimi i grafikut: INSTAT

ANALIZË nga Besian Zogaj: Mbi sondazhet zgjedhore

Liberale Newsroom

Bashkia e Tiranës mbi 3 muaj pa kryetar! A duhet të shpallë qeveria zgjedhje të reja për kryeqytetin?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH