Analizë

ANALIZË nga Vera Tika: Kur stadiumi bëhet laborator urrejtjeje, gjuha e dhunës etnike dhe patologjia e bashkëjetesës në Ballkan

Shkruar nga Liberale

ANALIZË nga Vera Tika: Kur stadiumi bëhet laborator urrejtjeje, gjuha

Nga Vera Tika *

Në shoqëritë post-konfliktuale të Ballkanit, ku shtetësia është shpesh produkt i kompromisit dhe jo i konsensusit, demokracia mbetet një përpjekje e vazhdueshme për të menaxhuar ndryshimin brenda përbashkësisë. Aty ku institucionet janë të brishta, ku identitetet etnike mbeten të politizuara dhe ku kujtesa historike instrumentalizohet politikisht, hapësira publike mund lehtësisht të kthehet në arenë rituale përçarjeje. Në këtë kontekst, një ndeshje basketbolli e zhvilluar më 2 gusht në qytetin e Kumanovës u shndërrua në një manifestim të papërpunuar të urrejtjes etnike, ku u dëgjuan thirrje si “Shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët”.

Ky incident nuk është thjesht një shpërthim emocional i një grupi tifozësh. Është simptomë sistemike e një realiteti më të thellë: dështimi për të ndërtuar një rend të përbashkët qytetar, përtej vijave të ndarjes etnike. Për më tepër, heshtja e zyrtarëve të pranishëm - heshtje institucionale dhe politike - nuk është as pasivitet e as protokoll. Është një akt mosveprimi politik që kontribuon në legjitimizimin e urrejtjes.

Retorika e thirrjeve në Kumanovë nuk është e rastësishme, as e padëmshme. Termat si “dhoma gazi” dhe “shqiptar i vdekur” nuk janë thjesht fjalë të shkujdesura; ato përfaqësojnë një ligjërim eliminator, të përngjashëm me atë që studiuesi Daniel Goldhagen përkufizon si “retorikë e justifikimit gjenocidal” - një gjuhë që jo vetëm përjashton tjetrin, por e koncepton si problem biologjik që duhet zhdukur. Nuk mund të injorohet fakti se shprehje si “dhoma gazi” bartin ngarkesa të drejtpërdrejta historike të gjenocidit nazist, të holokaustit, dhe të projekteve ideologjike që synuan shfarosjen sistematike të një komuniteti të tërë. Përdorimi i këtyre shprehjeve në kontekst publik - dhe madje sportiv - në vitin 2025, në një republikë që pretendon të jetë pjesë e familjes demokratike evropiane, është tregues i një kolapsi të etikës institucionale dhe të ndjeshmërisë historike.

Fjala nuk është thjesht mjegull ideologjike. Është strukturë e ndërgjegjes kolektive. Nëse stadiumet kthehen në hapësira ku urrejtja artikulohet publikisht dhe institucionet heshtin, atëherë kemi të bëjmë me një proces të thellë normalizimi të përjashtimit. Pikërisht kjo heshtje është forma më e sofistikuar e bashkëpunimit institucional me dhunën simbolike.

Maqedonia e Veriut nuk është një rast i izoluar. Në të gjithë rajonin ballkanik, sporti është shndërruar shpesh në një teatër paraligjor për përpunimin e frustrimeve historike, ku nacionalizmi i papërpunuar, mungesa e drejtësisë tranzicionale dhe etnopopulizmi gjejnë strehë dhe estetikë. Në Serbi, brohoritjet “Ubij Šiptara” në stadiumet e Beogradit kanë një jetëgjatësi të gjatë. Në Bosnjë, thirrje si “Nož, žica, Srebrenica” (thikë, tela, Srebrenicë) glorifikojnë gjenocidin dhe riprodhojnë nostalgjinë për dhunën. Edhe në Shqipëri, rastet e homofobisë, islamofobisë dhe gjuhës raciste në ndeshje lokale janë dokumentuar, ndonëse me më pak intensitet etnik. Ky fenomen nuk është sportiv. Është politik në thelb dhe ekskluziv në funksion.

Në këtë sfond, deklarata e vonuar e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, z. Hristijan Mickoski, jo vetëm që nuk përmbushi pritshmërinë minimale të një qëndrimi të qartë kundër ligjërimit racist, por shtoi edhe më shumë paqartësi konceptuale. Duke i quajtur brohoritjet “ksenofobe”, ai në fakt zbehu peshën reale të aktit: nuk kemi të bëjmë me një frikë ndaj të huajit, por me një formë të thellë racizmi institucional dhe antishqiptarizmi të natyrës internaliste, i cili vjen nga qytetarë ndaj qytetarëve të të njëjtit shtet. Të flasësh për ksenofobi në këtë rast është të shmangësh thelbin: bëhet fjalë për një urrejtje sistemike ndaj një bashkësie të përbërëse të vetë republikës, një përpjekje për ta vendosur shqiptarësinë jashtë legjitimitetit qytetar, për ta ricikluar në mënyrë politike figurën e armikut të brendshëm.

Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001, që i dha fund konfliktit të armatosur mes forcave maqedonase dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ishte një kontratë për një regjim të ri bashkëqeverisjeje multi-etnike. Por kjo marrëveshje — sado e rëndësishme në plan normativ — nuk krijoi automatikisht një identitet të përbashkët politik. Ai duhet ndërtuar, kultivuar dhe mbrojtur. Dhe incidenti i Kumanovës dëshmon se kjo arkitekturë qytetare është ende në rrezik. Nëse shqiptarët në Maqedoninë e Veriut janë “partnerë shtetformues” vetëm në letër, dhe në praktikë përballen me demonizim në hapësirën publike, atëherë barazia politike mbetet një koncept i rrëshqitshëm, i varur nga klimaxhet emocionale të shumicës.

Incidenti i Kumanovës është një dritare e vogël në një krizë më të madhe demokratike, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe në vetë Ballkanin. Ai na rikujton se nuk ka stabilitet pa ndërtim të vazhdueshëm të besimit ndërkomunitar. Nuk ka bashkëjetesë pa drejtësi simbolike. Nuk ka Evropë pa shkuljen e rrënjëve të urrejtjes.

Gjuha e urrejtjes nuk është e padëmshme. Është infrastrukturë e dhunës së ardhshme. Aty ku normalizohet, demokracia venitet. Dhe aty ku institucionet nuk guxojnë të thonë të vërtetën, kur ajo është më e pakëndshme, atëherë fjala e urrejtjes bëhet ligji i heshtur i shumicës.

Për këtë arsye, ky rast nuk duhet parë si një “episod sportiv”. Duhet trajtuar si krizë e kulturës politike dhe sfidë për arkitekturën institucionale të bashkëjetesës. Në një Ballkan që aspiron Evropën, nuk mjaftojnë reformat teknike apo retorikat integruese. Ajo që mungon është kultura e ndëshkimit të urrejtjes, dhe mbi të gjitha, guximi për të mbrojtur barazinë jo vetëm në ligj, por edhe në ndërgjegjen kolektive. Në fund të fundit, demokracia nuk është status, por zgjedhje e përditshme për të mos e pranuar përjashtimin si normë.

* Research Associate, Universiteti Panteion, Departamenti i Shkencës Politike dhe Historisë Hulumtuese e diskriminimit racial dhe të drejtave të njeriut në Evropën Juglindore

Liberale Newsroom

A duhet të ishin porositur më herët helikopterë për menaxhimin e zjarreve, në vend të investimit për satelitët “Albania 1” dhe “Albania2”

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH