Analizë

POST FACTUM nga Roland Lami: Pse na duhen partitë e reja në parlament

Shkruar nga Liberale

POST FACTUM nga Roland Lami: Pse na duhen partitë e reja në parlament

Roland Lami

E vetmja surprizë në këto zgjedhje nuk është se cila forcë apo koalicion fiton zgjedhjet, por a arrin mazhoranca aktuale të fitojë e vetme një shumicë të thjeshtë apo më keq akoma një shumicë të cilësuar. Pse ka rrezik një shumicë e thjeshtë apo e cilësuar e qeverisë socialiste në një regjim hibrit siç jemi ne?

Autorë dhe studiues të rëndësishëm si Levitsly & Ziblat ( 2018), Schedler (2013), Diamond (1999) dhe O’Donnel (1998) mbrojnë tezën se në kontekste me institucione të dobëta, qeveritë me qëndrueshmëri të gjatë priren të ndërtojnë forma të “demokracisë delegative” ku pushteti qendrohet në ekzekutiv dhe pjesa tjetër e institucioneve margjinalizohet. Në mungesë të mekanizmave të fuqishëm kontrolli dhe balancimi, liderët që qëndrojnë gjatë në pushtet priren të kontrollojnë institucionet kyçe si gjyqësori, mediat, administrata publike dhe komisionet zgjedhore. Kjo i zbeh aftësitë e këtyre institucioneve për të ushtruar rolin mbikëqyrës ndaj pushtetit ekzekutiv. Madje ata shkojnë edhe më tej duke argumentuar se kur pushteti nuk ndryshon për një kohë të gjatë, qytetarët humbasin besimin në mundësinë e ndryshimit përmes votës, duke u bërë më apatikë ose më të prirur për forma autoritare qeverisjeje.

Nisur nga ky parashtrim skenari i një shumice të thjeshtë apo më keq të cilësuar të socialistëve është rrezik serioz për fatin e konsolidimit të institucioneve dhe jo e kundërta siç pretendon kryeministri Rama. Pavaresisht se Shqipëria po avancon me shpejtësi drejt mbylljes së disa grup kapitujve dhe negocimit për hapjen e grupe kapitujve të tjerë, kjo jo detyrimisht garanton përmirësimin e standardeve të demokracisë. Kjo për faktin se një gjë është përmbyllja e grup kapitujve dhe komplet tjetër gjë është si rezonojnë institucionet dhe praktikat europiane në të përditshmen tone.

E shprehur ndryshe nënshkrimi i grup-kapitujve prek procesin formal të integrimit, që është teknik, burokratik dhe i strukturuar sipas kërkesave të Bashkimit Europian. Ndërsa si rezonojnë institucionet dhe praktikat europiane në të përditshmen tonë është krejt tjetër gjë. Ky aspekt i përket jetës reale, funksionalitetit të institucioneve, besimit të qytetarëve dhe mënyrës se si kultura politike dhe sociale përthith apo refuzon standardet europiane. Pse ka rrezik që ne të mbetemi vetëm te aspekti formal dhe të mos avancojmë në aspektin substantial nëse qeveria fiton e vetme një mandat tjetër?

Së pari, konteksti ndërkombëtar ku është BE-ja është sot. Ajo është e prokupuar më shumë në menaxhimin e luftës tregtare me SHBA apo asaj frontale me Rusinë sesa për parametrat demokratikë në nivel vendesh anëtare apo më keq akoma vendesh aspirante siç jemi ne. Nevoja për një front europian bëhet më i nevojshëm sesa thjeshtë dhe vetëm monitorimi strikt i parametrave demokratik i vendeve që kërkojnë t’i bashkangjiten familjes eurpiane.

Gjeopolitika merr më shumë prioritet sesa standardet demokratike. Ky është një moment shumë i volitshëm për vende si ne, për të kufizuar ndjeshëm kohën e anëtarësimit ndryshe nga Turqia, Mali i Zi apo Serbia, por në krahun tjetër ky proces jo detyrimisht na bën vend demokratik. Grup kapitujt mbesin dokumenta të huazuara në letër por jo kulturë e brendësuar sjellje e përditshme nëse mungojnë monitorimet strikte të institucioneve ndërkombëtare.

Së dyti, një shumicë e thjeshtë apo më keq akoma e cilësuar në kushtet e humbjes së katërt të partisë kryesore opozitare e degradon akoma më shumë sistemin e autokracisë jo më ta demokratizojë atë.

Aq më shumë me një opozitë si PD që pavarësisht se humbet për të katërtën herë radhazi por përsërit rezultatin e zgjedhjeve të 2013, 2017 dhe 2021, e duke qenë e vetme në opozitë pa parti rivale, ka pak gjasa të reformohet. Sigurimi i ekskluzivitetit të opozitës në gjithë këto vite jo pak raste në vend që të shtonte pergjegjësinë për t’u demokratizuar, përkundrazi ka rritur prirjen për t’u autokratizuar.

Strategjia që mjafton të mos lejohen parti të tjera opozitare të marrin peshë dhe rol por ardhja në pushtet e sjell koha si pasojë e konsumimit që mundëson qeverisja për një kohë të gjatë ka shoqëruar mentalitetin e opozitës në gjithë këto vite. Kjo gjë ka bërë të mundur që opozita të jetë po aq autoritare se qeveria jo për shkak të pushtetit që të dhuron qeveria por për shkak të pushtetit që të mundëson të qenurit i vetëm në opozitë.

Në këtë kontekst, e vetmja shpresë për të ndërtuar makanizma të rinj kontrolli dhe balanca pushteti mbetet përfaqësimi i partive të reja duke hequr mundësinë e eskluzivitetit të opozicionit vetëm PD dhe duke hapur kështu një kapitulli të ri të të bërit opozitë në parlament. Përfaqësimi i partive të reja do të detyronte PD të reformohej nëse do të synonte të mbijetonte në tregun politik mbas katër humbjesh ose nuk është habi që shumë prej demokratëve do tu bashkoheshin forcave të reja duke krijuar një realitet të ri politik opozitar dhe një shkëputje përfundimtare nga tradita 34 vjeçar që ose PS ose PD janë forca kryesore opozitare.

Sigurisht, karta morale e partive të reja si dhe fryma ndryshe e të bërit oponencë do ti jepte tjetër dinamikë jetës parlamentare dhe do të rriste akoma më shumë mjetet e kontrollit ndaj ekzekutivit. Nese as kjo nuk ndodh në këto zgjedhje, ky është lajmi më i keq për konsolidimin e parametrave demokratikë.

Liberale Newsroom

A duhet të mbajë Berisha, si kryetari i opozitës, përgjegjësinë kryesore për humbjen në zgjedhjet parlamentare të 15 majit 2025?

  • Po!
  • Jo!
Powered by the Tomorrow.io Weather API
SHQIPENGLISH