Roland Lami
Partitë e reja janë padyshim risia e këtyre zgjedhjeve. E gjithë vëmendja e opinionit publik brenda dhe jashtë Shqipërisë është sesa do të materializohet pëlqyeshmëria e manifestuar në aktivitet apo sondazhe në votë ose më qartë në numër mandatesh. Tek e fundit zgjedhjet janë më së shumti numër mandatesh dhe jo thjeshtë numër votuesish. Në këtë kuptim partitë e reja kërcenohen nga tre rreziqe.
Rreziku i parë është ai që në sjellje zgjedhore njihet si “frika e votës së humbur”. Eshtë e vertetë që të gjitha sondazhet e publikuara muajt e fundit tregojnë për një pëlqyeshmëri të qëndrueshëm të zgjedhësve për partitë e reja. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme ku trendi i pelqyeshmërisë për partitë e reja vinte në zbritje kur afrohej dita e zgjedhjeve, në këto zgjedhje, pëlqyeshmëria vjen në rritje kur afrohemi afër ditës së zgjedhjeve të 11 Majit. Kjo e dhënë krijon pershtypjen se një pjesë e votuesve e kanë vendosur që do të votojnë për partitë e reja. Mirëpo, autor si Blais (1996),Nadeau (2001) Cox (1997) argumentojnë se pëlqyeshmëria parazgjedhore (pra, një qëndrim pozitiv ndaj një partie të vogël ose një kandidati alternativ) nuk kthehet detyrimisht në votë. Shumë votues hezitojnë të votojnë për një parti të vogël edhe nëse e mbështesin ideologjikisht apo lidershipin e saj, nga frika se ajo nuk do të kalojë pragun zgjedhor. Shpesh ata përfundojnë duke votuar një parti më të madhe që shohin si "më të keqen më të vogël".
Në sisteme si i joni ku dominon një ndarje e fortë majtas-djathtas ose mes dy blloqesh politike, votuesit ndihen të detyruar të votojnë për “kampin” e tyre për të mos "i dhënë fitoren" kundërshtarit. Pra, kjo pelqyeshmeri ka gjasa te orientohet në vote te partia më e madhe që votuesi e shikon si më të afërt nga pikëpamja e krahut politik apo ideologjik.
Rreziku i dytë lidhet me efektet e formules zgjedhore. Gabimi taktik i partieve të reja për të garuar të ndara ose të çiftëzuar dhe jo në një koalicion të vetëm bën të mundur që pëlqyeshmëria e votuesit të kanalizohet në disa parti dhe jo në një koalicion. Aq më shumë që partitë “antisistem” siç mund te etiketohen mund të ishin fare mirë bashkë në një koalicion ku mund të përfshiheshin “Nisma Thurja”, “Shqipëria Bëhet”, “Levizja Bashkë” “Mundësia” madje edhe “ Euroatlantikët" dhe sot nëse do të bënim një bashkim mekanik pelqyeshmërie referuar sondazheve do ishte mbi 20 % në shkallë kombëtare dhe mbi 15 % ne disa qarqe kryesore ku numri i mandateve është më i lartë se disa qarqe të tjera. Copëzimi i pelqyeshmërisë në disa parti, specifikisht “ Nisma Thurja dhe Shqiperia Bëhet rreth 6 %, Partia Mundësia rreth 6 %, Lëvizja Bashke rreth 3 % dhe Partia Euroatlantike me 1.5% rrezikojnë që në nivel qarku në disa nga votat e tyre të kontribuojnë për sigurimin e mandatit të fundit të partisë më të madhe në qarqe me numër tek dhe në qarqe me numër mandatesh cift të dy partitë kryesore PS dhe PD.
Formula D’Hondt është një metodë proporcionale jo e pastër, që në praktikë favorizon partitë më të mëdha në krahasim me partitë më të vogla. Nëse “Partia Thurje” dhe “Levizja Bashkë” në qarkun e Shkodrës, Beratit, Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës, Vlorës psh nuk arrin të marrë asnjë mandat (nëpërmjet ndarjes sipas D’Hondt), votat e saj nuk "shpërndahen" drejtpërdrejt, por në mënyrë të tërthortë ndikojnë në rritjen relative të përfaqësimit të partive më të mëdha, sidomos të partisë qe ka siguruar me shume vota. Pra, votat që nuk prodhojnë mandate (të partive të vogla që nuk arrijnë ndarjen e parë) rrisin peshën e votës efektive të partive më të mëdha. Ky efekt I formules zgjedhore ka shume gjasa që pëlqyeshmërinë ndaj subjekteve të reja të mos e materializoi në numër mandatesh.
Gjithashtu, formula D’Hondt funksionon duke ndarë votat e secilës parti me një varg ndarësish (1, 2, 3, 4...), dhe duke ndarë mandatet sipas numrave më të lartë që dalin nga këto pjesëtim. Me kalimin e ndarjes së më shumë mandateve, ndarësit rriten dhe avantazhi kalon te partitë që kanë një total më të lartë votash. E shprehun ndryshe, mandatet e para janë më "të lira" për t’u marrë (në kuptimin e numrit të votave për mandat) ndërsa mandatet e fundit janë shumë më “të shtrenjta”kërkojnë shumë më tepër vota, gjë që e favorizon partinë më të madhe. Kujtojmë rastin e LSI në 2021 në shkallë vendi siguroi 106.250 vota ose 6,81% dhe numër mandatesh vetëm 4.
Rreziku i tretë është ai i fomulës bipartizane të kompozimit të administratës zgjedhore. Formula bipartizane e administratës zgjedhore në Shqipëri është një model i ndërtuar mbi dominimin e dy partive kryesore - Partia Socialiste (PS) dhe Partia Demokratike (PD) – në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve. Kjo formulë është e institucionalizuar përmes Kodit Zgjedhor dhe është kritikuar gjerësisht si burim i politizimit të thellë të administratës zgjedhore. Siç dihet partitë kryesore propozojnë “besnikët e tyre” në KZAZ dhe KQV, ndërsa partitë e vogla dhe ato jashtë parlamentit thjeshtë kanë të drejtën e monitorimit të procesit.
Partitë e reja dhe të vogla shpesh bëhen viktimë e një administrate zgjedhore bipartizane, që kontrollohet nga dy partitë e mëdha (PS dhe PD), të cilat jo vetëm dominojnë vendimmarrjen, por edhe keqpërdorin mekanizmat administrativë për të deformuar votën, veçanërisht në dëm të aktorëve të rinj politikë. Ka raportime referuar zgjedhjeve të mëparshme për bashkëpunim të heshtur midis komisionerëve të PS dhe PD për të minimizuar votat e partive të reja – një lloj "marrëveshje bipartizane për ruajtjen e pushtetit”. Sidomos, në njësi zgjedhore zonash rurale, periurbane apo qytete periferike ku prezenca e monitoruesve apo e perfaqësuesve ndërkombëtarë që monitorojnë zgjedhjet është e ulët ose fare.