Fitim Zekthi
Rreziku më i madh i çdo sistemi politik, i çdo shoqërie vjen nga turma, nga impenimi që ajo mund t'i bëjë opinionit apo vendimarrjes politike. Ajo në këtë mënyrë do të shkatërrojë plotësisht kuptimin mbi të vërtetën. Do të ketë gjithmonë politikanë demagogë që do të përdorin pasionet dhe emocionet e turmës për interesin e tyre. Kur do të shkruanin kushtetutën e SHBA-së James Madison dhe Etërit Themelues kishin parasysh pikërisht këtë rrezik gjigand. Madison kishte vënë re se që nga Greqia e Vjetër dhe gjithmonë përdorimi i emocioneve dhe pasioneve të turmës kishte qenë rreziku më shkatërrimtar dhe kërkonte që të gjente një mënyrë për ta shmangur. Historia ka treguar se kjo nuk shmanget dot por mund të kufizohet. Ne si vend kemi vuajtur dhe vuajme shumë më shumë nga kjo gjë.
Këtë rrezik të përdorimit të pasioneve dhe emocioneve të turmës ka shumë gjasa ta vuajmë edhe në mënyrën se si do të zgjedhim këtë të dielë. Dy liderët e dy partive të mëdha, asaj që qeveris vendin dhe asaj që drejton Partinë Demokratike të opozitës kanë zhvilluar një fushatë e cila ka synuar vetëm të prekë dhe të përdorë këto emocione të njerëzve në mënyrë që ti kthejë ata në turmë dhe të kapitalizojë apo fitojë prej këtij kthimi.
Në çdo vend, në çdo fushatë çdo parti, sidomos ato të mëdhatë që garojnë për të fituar pushtetin dhe qeverisjen përpiqen të ndërtojnë një mesazh kombëtar që prek shqetësimin më të madh që ka vendi. Nisur nga mesazhi ato duan që t'i kthejnë zgjedhjet në votim për ato çështje, në një lloj referendumi për ato çështje. Për shembull në SHBA pak muaj më parë për demokratët shqetësimi më i madh ishte demokracia, rreziku që ajo kishte. Për republikanët ishte ekonomia dhe inflacioni. Në Gjermani për kristiandemokratët ishte ekonomia dhe emigracioni. Për AFD ishte emigracioni, për PSD ishte ekonomia dhe rreziku ekstremist. Kështu në SHBA u votua pikërisht për ekonominë dhe emigracionin, në Gjermani për ekoniminë dhe emigracionin.
Në Shqipëri dy partitë tona të mëdha e kanë shmangur problemin kryesor ose shqetësimin kryesor me qëllim. PS ka për temë themelore të fushatës së saj integrimin Europian dhe rrezikun e kthimit pas tek përcoja sipas tyre shkatërrimtare e Berishës. PD ka për temë themelore të saj diçka midis ekonomisë dhe rrezikut nga mandati i katërt shkatërrimtar i Ramës i cili sipas tyre ka prodhuar shkatërrim të madh edhe deri më tani.
Problemi më themelor në vend është në fakt korrupsioni i lartë dhe i pandëshkueshëm prej 3 dekadash i cili ka prodhur shkatërrim të lirisë ekonomike, mjerim, mosekzistencë të sundimit të drejtës. Temë themelore është në një farë mënyre qëndrimi ndaj ndëshkueshmërisë së korrupsionit, ndaj SPAK dhe GJKKO.
As PS dhe as PD nuk kishin atë një temë bazë të fushatës dhe të qëndrimit të tyre. Kjo për shkak se PS është prekur fuqimisht nga hetimet e SPAK dhe asaj i ka rënë narrative e një qeverisjeje të mirë për shkak të korrupsionit të lartë dhe nuk mund të përkrahë dot punën e prokurorëve, nuk shprehet dot për zgjatje të mandatit të prokurorëve, nuk shprehet dot për luftë ndaj korrupsionit. PS në thelb kërkon ta dobësojë plotësisht SPAK dhe GJKKO dhe ka ngritur një komision për këtë qëllim. PD po ashtu nuk flet dot pro SPAK dhe GJKKO sepse e ka konflikt interesi. Ajo e ka thënë vazhdimisht se kërkon ta shkrijë SPAK.
Për të mos lejuar që shqiptarët të shkojnë në ditën e zgjedhjeve dhe të votojnë duke u nisur nga qëndrimi që PD dhe PS kanë ndaj SPAK dhe GJKKO ato flasin për gjëra të të tjera, bëjnë spektakël dhe sillen në mënyrë që të prekin emocione dhe pasione të njerëzve. Rama u thotë çyrykë atyre që votojnë PD, fton në debat një militant popullor të PD si Vrenozi, e kthen atë në figurë qendrore, e shtyn atë të shajë, shkon në Kuç dhe bën llogari me fshatarët atje se si do dalë rezultati, e quan kryetarin e opozitës buf etj. Me këto sjellje ai saldon, solidifikon bazën e vet, e bën atë të galvanizohet. PD e nxjerr Vrenozin në krye të mitingjeve të saj, i përgjigjet Ramës për ato që ai thotë për burrat dhe gratë, nxjerr në tribunë të mbajë fjalime LaCivita, i jep zë videove me buf që kap minj dhe i publikon La Civita etj. Me këtë PD galvanizon bazën e saj dhe i heq njerëzve çdo mundësi të mendojnë mbi atë që është shqetësimi themelor. Edhe PD si PS kërkon që njerëzit të mos shkojnë në zgjedhje duke menduar se çfarë mendojnë ato për SPAK dhe GJKKO dhe korrupsionin e lartë të këtyre 3 dekadave.
Në këtë kuptim kjo ishte një fushatë për të shmangur gjënë e vetme të rëndësishme të Shqipërisë në këto vite, luftën ndaj korrupsionit dhe atë që po bën SPAK dhe GJKKO. Dy partitë nuk duan që në fletën e votimit të jetë pyetja “a duhet të përkrahet SPAK dhe GJKKO në luftën ndaj korrupsionit të lartë”. Kjo pyetje i masakron ato, u prish narrativën dhe arsyet pse hyjnë në zgjedhje. Në një farë kuptimi dy partitë e mëdha me anë të gjithë kësaj bartëdie në kërkim të përdormit të emocioneve dhe pasioneve të njerëzve ia kanë arritur qëllimit. Në një farë mënyre rezultati do të çojë drejt konfirmimit të statuskuosë ndonëse disa krisje serioze kjo statuskuo do ti marrë. Këto krisje mund të jenë të parikuperueshme.
Këtë të dielë sidoqë të jetë korrupsioni, SPAK GJKKO do të jenë në fletën e votimit. Forcat dhe qëndrimet pro kësaj lufte, pro SPAK dhe GJKKO do të marrin vota. Forcat kundër do të ndëshkohen. Ka raste kur propaganda nuk i del ose nuk ia del plotësisht.