Para se të jetë politik, integrimi në Bashkimin Europian është akademik, ekonomik, juridik, social e kulturor. Është një proces që përfshin aktorë të ndryshëm të shoqërisë, mes tyre institucionet e arsimit të lartë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm në përgatitjen e shoqërive drejt hapave madhorë.
Universiteti Europian i Tiranës prej vitesh është pjesë e komunitetit evropian me shkëmbimet kulturore të Erasmus+, me projektet e financuara nga Komisioni Europian apo me aktivitete të formave të ndryshme. Ndërsa afrohet data finale, e vendosur nga qeveria, për integrimin e Shqipërisë në BE, fokusi i UET është rritur edhe më tepër përmes nxitjes së kërkimit shkencor në çështjet e integrimit që prekin thellësisht apo transformojnë jetën tonë.
Pikërisht ky kontribut akademik, i realizuar përmes përafrimit të kurrikulave, kërkimeve, partneriteteve, apo studimeve në fushën e integrimit evropian, do të shpërfaqet gjatë dy ditëve të Konferencës Ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare, në datat 10-11 prill. Në ditën e parë të hapjes, në Tirana International Hotel, do të prezantohen rezultatet e dy projekteve 3-vjeçare të financuara nga Bashkimi Europian, Jean Monnet Actions, me fokus mbështetjen e mësimdhënies, debatit dhe kërkimit, për aspekte të ndryshme të unionit.
Pjesë e konferencës do të jetë edhe një përfaqësues nga Universiteti i Bolonjës, si mbështetës i kësaj ngjarjeje shkencore, por njëkohësisht edhe si lider i një prej projekteve të Jean Monnet ku UET bën pjesë.
Përveç akademikëve, në hapjen e konferencës do të marrin pjesë përfaqësues të qeverisë, të Delegacionit Europian në Shqipëri, drejtues të institucioneve dhe komisioneve, puna e të cilëve ndërlidhet drejtpërdrejtë me integrimin në Bashkimin Europian.
Përmbyllja e dy projekteve Jean Monnet
Në 2022-in, Universiteti Europian i Tiranës u bë i vetmi institucion në vend dhe rajon që fitoi projektin Jean Monnet Chair, një prej tre formave të Jean Monnet Programme, nismë e Bashkimit Europian që nxit kërkimin dhe mësimdhënien në fushën e integrimit europian. Projekti i titulluar "FinancialAL-EU: Rritja e Njohurive për Procesin e Integrimit Evropian tek Studentët në Ballkanin Perëndimor", u drejtua nga prof. asoc. dr. Selami Xhepa, nën synimin për të rritur njohuritë për integrimin në BE, me fokus në politikën monetare, tregjet financiare dhe sistemin bankar.
Po në këtë vit, UET u bë sërish pjesë e një projekti të dytë 3-vjeçar të Jean Monnet, në atë që quhet Jean Monnet Center of Excellence. "EU FUTUR: Përmirësimi i Njohurive mbi Procesin e Integrimit në BE tek Studentët Universitarë në Ballkanin Perëndimor", përveç UET përfshin universitete partnere nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë Hercegovina dhe Qendrën për Evropën Qendrore Lindore dhe Ballkanin të Universitetit të Bolonjës, në rolin e liderit. Ndër të tjera, objektivi i këtij projekti ishte edhe zgjerimi i njohurive për BE-në dhe politikat e saj përkatëse, standardet, kriteret e konvergjencës etj.
Nxitja e inovacionit në edicionin e XII-të të DSSH-së
Konferenca Ndërkombëtare Ditët e Studimeve Shqiptare është tashmë një ngjarje me traditë në Universitetin Europian të Tiranës, e cila zhvillohet për të 12 vit radhazi. Ajo bën bashkë studiues, kërkues, pedagogë, doktorantë nga Shqipëria, rajoni dhe më gjerë, të cilët nën një tematikë qendrore që ka të bëjë me venin dhe rajonin, sjellin dhe prezantojnë gjetjet e tyre në dimensione të ndryshme profesionale dhe akademike.
Tema e këtij viti ka të bëjë me nxitjen e inovacionit në kornizën e agjendës së re konkurruese të BE-së. Në një botë të paqëndrueshme ka nevojë për kërkime të qëndrueshme. Ndryshimet e vrullshme që pëson bota, për shkak të konjukturave të reja politike, ndikimit të teknologjisë dhe Inteligjencës Artificiale, faktorëve ekonomikë e socialë, kanë nxitur më tepër rivalitetin për dominim strategjik. Shqipëria është një vend i vogël, e drejtuar fort pas ambicies për integrim në BE. Për rrjedhojë, ajo nuk mund të sjellë ndryshimin, por i nevojitet vigjilenca për t’u orientuar, përshtatur, përgatitur, për strategjitë dhe politikat që ndërmerr BE-ja. Si një vend që hapi negociatat për anëtarësim të plotë, Shqipëria duhet të rishikojë me kujdes edhe çështjet e ekonomisë sonë kombëtare të miratojë politika të reja zhvillimi në përputhje me këtë filozofi të re të BE-së.
Me këtë filozofi është e orientuar edhe kërkimi shkencor i mbi 100 akademikëve që janë bërë pjesë e edicionit të 12-të të DSSH-së. Më 11 prill, në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, para pesë paneleve sipas fakulteteve të këtij universiteti, do të prezantohen punimet dhe kërkimet e realizuara. Në mbyllje të konferencës shkencor, referuesit do të pajisen me certifikata pjesëmarrjeje, ndërsa disa prej punimeve do të botohen në pesë revistat shkencore të UET-it: Polis, Economicus, Justen&Justicia, Ingenious dhe Medicus, të cilat janë një prej instrumenteve kryesore nëpërmjet të cilave universiteti komunikon me botën akademike kombëtare dhe ndërkombëtare.