Liga e Universiteteve Gjon Durrahium zhvilloi takimin e parë stinor për anëtarësimet të reja dhe çuarjen para të projekteve të nisura. Takimi mes anëtarëve të Ligës u zhvillua në ambientet e Universitetit Epoka.
Rektori i këtij universiteti, prof. dr. Ahmet Öztaş, përshëndeti gjithë të pranishmit dhe u shpreh optimist për vijimësinë e projektit që për herë të parë bëri bashkë universitetet jopublike në Shqipëri.
Në këtë mbledhje u vendos pranimi në mënyrë unanime i tre anëtarëve të rinj: Universiteti Epoka, Kolegji Universitar i Biznesit dhe Kolegji gjerman, duke e çuar kështu në dymbëdhjetë numrin e anëtarëve. Po ashtu, u diskutua për çështje të ndryshme që prekin arsimin e lartë në sektorin privat, ambiciet dhe sfidat e reja, si dhe u vendos theksi te thithja e studentëve të huaj.
Pavarësisht shtimit të turistëve, në sektorin e arsimit Shqipëria mbetet ende në hapa modest. Sipas një studimi të kryer nga presidenti i UET, prof. asoc. dr. Selami Xhepa, Shqipëria dhe Kosova janë të fundit në rajon, me më pak se dy mijë studentë të huaj, ndërkohë që ky dimension po përparon ndjeshëm në vendet e rajonit dhe Evropë.
Kryetari i Bordit Drejtues të Lidhjes, prof. Dr. Et'hem Ruka, njëkohësisht rektor i Universitetit Luarasi theksoi nevojën për forcimin e bashkëpunimit të universiteteve të Ligës e më konkretisht në “kërkimin shkencor, projektet dhe bibliotekat”.
Përveç çështjeve administrative, në këtë takim u vendos edhe për bashkëpunimin me Rrjetin Akademik të Shqipërisë (RASH), ndërsa drejtori i saj Arjan Xhelo prezantoi shërbimet e fundit informatike, më së të nevojshme për sistemin arsimor shqiptar.
Liga e Universiteteve Gjon Durrahium u krijua në 2017-ën nga tre institucione arsimore: Universiteti Europian i Tiranës, Tirana Business University dhe Univers Network sh.p.k.
Në shkurt të 2025-ës ajo u shtua me gjashtë anëtarë të rinj: Universiteti Luarasi, Kolegji Universitar Qiriazi, Universiteti Aldent, Canadian Institute of Technology, Universiteti Polis, Kolegji Profesional i Tiranës dhe Universiteti Metropolitan i Tiranës.
Në 12 dhjetor të 2024-ës u mbajt samiti "International Students", në të cilin kryeministri Edi Rama laçoi iniciativën që Shqipëria të bëhet një vend mikpritës edhe për studentët e huaj si dhe mori angazhimin institucional për të lehtësuar regjimin e vizave për studentët, njohjen e diplomave dhe integrimin e tyre në tregun e punës.